Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Shkoj në krevat me barkun bosh” – krizë ushqimi në Haiti

Sarah Molini ishte një studente e informatikës para se dhuna dhe kaosi të përhapeshin në shtetin e saj, Haiti, si pasojë e vrasjes së presidentit, Jovenel Moise, në vitin 2021. Me një pamje që tregon moshë më të vjetër për shkak të periudhës së rëndë nëpër të cilën po kalon, Sarah reflekton më së miri problemet në Haiti. Ajo tani lufton për të siguruar ushqim për familjen, derisa thotë se arsimimi i saj është një viktimë tjetër në kombin që po fundoset

(BBC) - Jeta e Sarah Molinit reflekton thellësinë e problemeve në Haiti.

Një vit më parë, 20-vjeçarja ishte studente e shkencave kompjuterike, derisa jetonte në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince.

Por Haiti që po shndërrohet me shpejtësi në shtet të dështuar, ka çuar gjithashtu drejt dështimit të rinjtë e tij.

Muaj të trazirës dhe jostabilitetit politik, pas vrasjes së presidentit, Jovenel Moise, në qershor të vitit 2021, kanë arritur kulmin me valën aktuale të dhunës ekstreme të bandave.

Luftimet kanë shkaktuar mijëra viktima, nga ata që trupat e të cilëve shtrihen në rrugë, deri te të tjerët si Sarah dhe familja e saj, që u detyruan të largoheshin nga shtëpia e tyre gushtin e kaluar dhe tani jetojnë brenda një objekti të një kinemaje të braktisur.

Edhe “Ishte një masakër”: Bandat në Haiti po kryejnë vrasje masive në mbarë vendin Botë “Ishte një masakër”: Bandat në Haiti po kryejnë vrasje masive në mbarë vendin

Rreth 100 familje kanë ngritur një kamp të improvizuar brenda ndërtesës, e cila, në rrethana normale, nuk do të konsiderohej e përshtatshme për banim njerëzor. Nuk ka kanalizim apo ujë të rrjedhshëm dhe Sarah thotë se përpjekjet e tyre të përditshme për të gjetur ushqim po bëhen kritike.

“Ndonjëherë gjejmë ushqim, ndonjëherë jo”, shpjegon ajo me një zë të lodhur.

Derisa mundohet ta argëtojë djalin e saj të vogël, ajo jep pamjen e një gruaje shumë më të vjetër.

“Shkoj në shkollë pa ushqim, e kaloj ditën e uritur dhe më pas shkoj në shtrat pa asgjë në stomak”, shpjegon ajo.

Shumë në kamp vuajnë nga sëmundje. Sarah thotë se sëmundjet tani po përhapen nëpër komunitetin që banon aty. Ilaçet shpesh janë tepër të shtrenjta, duke pasur parasysh se buxheti i tyre për ushqim është i vogël.

“Me gjashtë dollarë mund të sigurojmë familjen me katër persona (të gjithë të rritur) për një ditë”, thotë ajo.

Në ditët që nuk mund t'i mbledhin ato fonde, ata varen nga donacionet dhe ndihmat e pakta.

“Ndonjëherë stafi sillet sikur po na bëjnë një nder kur japin ndihmën dhe ne ndihemi të poshtëruar. Sikur po marrim ushqimin e tyre në vend të donacioneve”, shpjegon ajo.

Sarah është vetëm një nga më shumë se 360.000 personat e zhvendosur brenda vendit në Haiti.

Helikopterët që sjellin ndihma nga Republika Domenikane kanë filluar të mbërrijnë, porse nuk konsiderohen të mjaftueshme krahasuar me nevojat e popullit.

Bllokimi politik që pasoi dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry vazhdon. Haitianëve u premtohet vazhdimisht se një këshill kalimtar i mbështetur nga SHBA-ja, i përbërë nga shtatë anëtarë, është afër të emërohet. Por administrata e përkohshme ende nuk e ka marrë pushtetin apo ka sjellë ndonjë lloj stabiliteti në terren në Haiti.

Sa më gjatë të vazhdojë vakumi i pushtetit, aq më shumë situata e sigurisë po shkon drejt anarkisë. Ajo po lë miliona njerëz të mbërthyer pas një stuhie të politikës, dhunës, të pastrehëve dhe urisë.

Në kërkim të një porti në atë stuhi, shumë do të shkojnë në Cap-Haitien, një qytet bregdetar verior që ka parë mijëra njerëz që ikin nga kryeqyteti.

Cap-Haitien është relativisht i qetë në aspektin e sigurisë. Sa herë që bandat përpiqeshin të hidhnin rrënjë në një lagje, ato detyroheshin të largoheshin për shkak të operacioneve të shpejta të policisë me mbështetjen e njerëzve, ka treguar një zyrtar i lartë i qytetit.

Megjithatë, qyteti port tashmë po lufton për të përballuar nevojat infrastrukturore të popullsisë së vet, veçanërisht në ujë dhe energji, përpara se të bëhej streha kryesore e sigurt e vendit. Pavarësisht kësaj, fëmijët me sa duket kanë më shumë shanse në Cap-Haitien.

Kequshqyerja e fëmijëve

Fëmija gjashtëmuajsh, Jeselin Joseph, ishte kequshqyer në mënyrë të rrezikshme disa javë më parë. Për fat të mirë, kur e takova, ai po pinte me kënaqësi një shishe me qumësht formula për bebe, kështu që pesha e tij filloi të kthehej. Ai ende kishte barkun pak të zgjatur dhe lëkurën e varur, që tregonte kequshqyerjen e tij. Gjyshja e tij, Elvire Desir, qeshte ndërsa ai gëlltiste me uri vaktin e tij.

Edhe E mbijetuara e përdhunimit që rrit foshnjën, që i thanë ta abortonte Botë E mbijetuara e përdhunimit që rrit foshnjën, që i thanë ta abortonte

Jeselin ishte me fat. Ai po trajtohej në qendrën rezidenciale të kequshqyerjes së Second Mile, një OJQ lokale e drejtuar nga haitianë. Nëna e tij ka qenë e sëmurë dhe e paaftë për t’u kujdesur për të. Pasi nevoja e tij u identifikua si kritike bazuar në një sërë treguesish, duke përfshirë perimetrin e krahut, ekipi ishte në gjendje ta transferonte atë në një spital.

“Ne kemi hapësirë ​​për të mbështetur 22 familje”, ka thënë bashkëthemeluesja e OJQ-së, Jenn Schenk.

“Në mënyrë tipike, nënat qëndrojnë me ne për rreth katër javë. Por ne gjithashtu bëjmë vizita pasuese në komunitetet e tyre për të vazhduar përforcimin e programit dhe për të ndihmuar që fëmijët të mos bien përsëri në uri të fortë”.

Duket se po funksionon. Vetëm 1% e fëmijëve që largohen nga Second Mile duhet të kujdesen sërish për kequshqyerje në të ardhmen.

Jashtë, nën një çati prej hekuri të valëzuar, mbahej një orë mësimi për ushqyerjen. Në gjuhën kreole, instruktori foli për mënyrat për të siguruar ushqime me vlerë të lartë ushqyese me të ardhura të ulëta, këshilla se si të identifikohet kequshqyerja te fëmijët dhe si të trajtohet diarreja te foshnjat - mësime të thjeshta, potencialisht jetëshpëtuese që mund të zbatohen për familjet nëpër Haiti.

Me mungesën e ndihmave, dhe bandat që kontrollojnë rrugët kryesore brenda dhe jashtë Port-au-Prince, ekipi në Second Mile ka grumbulluar furnizime emergjente ndërsa ato janë ende në dispozicion.

Me komunitetin ndërkombëtar që premton miliona dollarë në ndihmë, bashkëthemeluesja, Jenn Schenk, ka shqetësime se mësimet e së kaluarës së Haitit nuk janë mësuar - veçanërisht historia e kontrolluar e agjencive të ndihmës dhe organizatave ndërkombëtare gjatë reagimit ndaj katastrofës pas tërmetit të vitit 2010, i cili la të vdekur rreth 200.000 njerëz.

Në këtë fazë, as donacionet dhe as burimet njerëzore nuk po hyjnë në Haiti në ndonjë mënyrë kuptimplote. Përgjigjja është ende jashtëzakonisht e ngadaltë për njerëzit si Sarah Molin, të mbërthyer duke jetuar në kushte të rënda në kryeqytet.

Dhuna e bandave të Haitit tashmë i ka marrë shumë Sarës. Kjo i ka mohuar asaj një shtëpi, një burim të qëndrueshëm të ardhurash dhe ushqimin: të gjitha parimet themelore të jetës së saj të mëparshme.

Tani kaosi kërcënon të marrë edhe perspektivat e saj.

Sarah thotë se duhet të heqë dorë nga studimet e saj në informatikë për të ndihmuar familjen të gjejë mjaftueshëm për të ngrënë. Ajo shprehet se arsimimi i saj është vetëm një viktimë më shumë në një komb që fundoset në humnerë.

Shkatërrimi nga tërmeti i vitit 2010

Haiti u bë republika e parë në botë e udhëhequr nga njerëzit me ngjyrë, dhe shteti i parë i pavarur i Karaibeve kur hodhi poshtë kontrollin dhe skllavërinë koloniale franceze në fillim të shekullit të 19-të.

Por pavarësia erdhi me një kosto. Ajo duhej t'i paguante dëmshpërblime Francës, e cila kërkonte kompensim për ish-pronarët e skllevërve.

“Borxhi i Pavarësisë” i shekullit të 19-të nuk u shlye deri në vitin 1947. Ka pasur thirrje kohët e fundit që Franca t’i kthejë paratë.

Paqëndrueshmëria kronike, diktaturat dhe fatkeqësitë natyrore në dekadat e fundit e kanë lënë atë si kombin më të varfër në kontinentin amerikan.

Një tërmet i vitit 2010 la të vdekur rreth 300.000 njerëz dhe shkaktoi dëme të mëdha në infrastrukturë dhe ekonomi. Një forcë paqeruajtëse e OKB-së u krijua në vitin 2004 për të ndihmuar në stabilizimin e vendit dhe u tërhoq vetëm në vitin 2019.

Edhe Sistemi shëndetësor i Haitit buzë kolapsit, thotë OKB-ja Botë Sistemi shëndetësor i Haitit buzë kolapsit, thotë OKB-ja

Në vitin 2021, presidenti Jovenel Moïse u vra nga persona të armatosur të paidentifikuar në Port-au-Prince. Që atëherë vendi është shkatërruar nga kaosi ekonomik, kontrolli i pakët funksional politik dhe lufta në rritje e bandave.

Përgatiti: Flutura Gashi - Mehmeti