Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shkencëtari rus akuzohet për dorëzim të sekreteve shtetërore në Kinë

Drejtori i një instituti të lartë shkencor rus, i arrestuar nën dyshimin për tradhti së bashku me dy ekspertë të tjerë të teknologjisë së raketave hipersonike, akuzohet për tradhti ndaj sekreteve të Rusisë duke i dërguar në Kinë, raportoi të mërkurën Reuters.

Alexander Shiplyuk, kreu i Institutit Khristianovich të Mekanikës Teorike dhe të Aplikuar (ITAM) të Siberisë, dyshohet se ka dorëzuar materiale të klasifikuara në një konferencë shkencore në Kinë në vitin 2017.

56-vjeçari është deklaruar i pafajshëm dhe këmbëngul se informacioni në fjalë nuk ishte i klasifikuar dhe ishte i disponueshëm në internet.

Natyra e akuzave ndaj drejtorit të ITAM, i cili u arrestua gushtin e kaluar, nuk është raportuar më parë. Lidhja kineze do ta bënte Shiplyukun personin e fundit në një varg shkencëtarësh rusë që janë arrestuar vitet e fundit për gjoja tradhti ndaj Pekinit.

Për arrestimin e shkencëtarit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se shërbimet e sigurisë po merren me rastet e tilla që lidhen me “tradhtinë ndaj atdheut”.

Vitin e kaluar, specialisti i lazerit Dmitry Kolker u arrestua në Siberi me akuza për tradhti, por vdiq dy ditë më vonë nga kanceri. Avokati i tij, Alexander Fedulov, ka thënë për Reuters javën e kaluar se Kolkeri u akuzua për dhënien e sekreteve në Kinë, një pretendim që familja e shkencëtarit e mohoi.

Alexander Lukanin, shkencëtar nga qyteti siberian Tomsk, u arrestua në vitin 2020 me dyshimin se i kishte kaluar sekretet e teknologjisë Pekinit. Vitin e kaluar, ai u dënua me shtatë vjet e gjysmë burg.

Edhe Pse është duke i akuzuar Rusia fizikanët e vet për tradhti? Botë Pse është duke i akuzuar Rusia fizikanët e vet për tradhti?

Valery Mitko, një shkencëtar që drejton Akademinë e Shkencave të Arktikut në Shën Petersburg, u akuzua më 2020 për transmetimin e sekreteve në Kinë, ku ai ka udhëtuar rregullisht për të dhënë leksione. Ai vdiq dy vjet më vonë në moshën 81 vjeçare në arrest shtëpiak.

Muajin e kaluar parlamenti rus votoi për të rritur dënimin maksimal për tradhti në burgim të përjetshëm nga 20 vjet. Të martën, kreu i komitetit të sigurisë në dhomën e ulët të parlamentit të Rusisë mbështeti një projektligj që shtrëngon qasjen në sekretet shtetërore, duke thënë se 48 rusë janë dënuar për tradhti midis viteve 2017 dhe 2022.