Në orët e para pas takimit të Witkoff më 6 gusht në Moskë me Putinin, si ai ashtu edhe Trumpi treguan se besonin se kishte ndodhur një përparim. Të nesërmen, Trumpi tha se së shpejti mund të takohej me udhëheqësin rus, ndërsa më vonë tha se një shkëmbim territoresh do të ishte i nevojshëm për t'i dhënë fund luftës.
Menjëherë pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë më 6 gusht, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, i dha një lajm të rëndësishëm presidnetit amerikan Donald Trump: Presidenti rus është i përgatitur të ofrojë lëshime të rëndësishme territoriale për t'i dhënë fund luftës së tij në Ukrainë.
Pas leximit të deklaratës së Witkoffit, të përshkruar nga dy persona të informuar mbi këtë çështje, Trumpi përshëndeti “progresin e madh" të emisarit të tij dhe pranoi të mbante një samit historik me Putinin, duke treguar se një shkëmbim territoresh ishte në tryezë.
Por përpjekja diplomatike shpejt u shndërrua në konfuzion.
Në një telefonatë më 7 gusht me disa udhëheqës evropianë, Witkoffi tregoi se Putini ishte i gatshëm të tërhiqej nga rajonet ukrainase të Zaporizhzhisë dhe Khersonit në këmbim të lëshimit të Donetskut dhe Luhanskut nga Kievi, sipas një burimi të njohur me shkëmbimin.
Propozimi i habiti shumë prej pjesëmarrësve në telefonatë, pasi ai ndryshonte ndjeshëm nga vlerësimet e tyre për qëndrimin e Putinit, thanë katër persona me njohuri për diskutimet, përfshirë zyrtarë amerikanë dhe evropianë që kërkuan të mbesin anonimë.
Witkoff duket se e ndryshoi deklaratën e tij të nesërmen. Në një telefonatë të zhvilluar nga sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, me këshilltarët evropianë të sigurisë kombëtare, i dërguari tha se Putini në fakt nuk po ofronte tërheqje nga dy territoret në fjalë, sipas njërit prej burimeve.
Në vend të kësaj, zyrtarët amerikanë treguan në telefonatë se Putini kishte sinjalizuar lëshime më të vogla ndaj Uashingtonit, duke përfshirë edhe faktin se ai nuk do të kërkonte që Perëndimi të njihte zyrtarisht Zaporizhzhian dhe Khersonin si rusë, tha një zyrtar tjetër amerikan.
Witkoff, një manjat i pasurive të paluajtshme pa përvojë në diplomaci, shkeli protokollin standard duke shkuar në takim pa një mbajtës shënimesh të Departamentit të Shtetit dhe kështu mbeti pa një regjistrim të propozimeve të sakta të Putinit, tha një burim me njohuri për dinamikën e brendshme të administratës.
Intervistat me dhjetëra zyrtarë amerikanë dhe evropianë shpjegojnë përpjekjen e fundit të administratës Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, e cila kulmoi në samitin “dëshpërues” Trump-Putin në Alaska më 15 gusht, ku udhëheqësit shkëmbyen fjalë të ngrohta, por pa marrëveshje paqeje.
Pamja që del nga intervistat është ajo e një presidenti amerikan të gatshëm të veprojë shpejt në disa vendime të politikës së jashtme, duke u mbështetur më shumë te njerëzit e besuar dhe instinkti sesa te kanalet tradicionale diplomatike dhe procesi i diskutimit, tipik për shumicën e administratave të mëparshme.
Krahasimi me Bidenin
Mbështetësit e Trumpit thonë se qasja e tij ka sjellë përparime të paimagjinueshme në krahasim me kohën e paraardhësit të tij, duke përmendur në mënyra të ndryshme hapjen e marrëdhënieve të SHBA-së me qeverinë e re siriane, bombardimin e objekteve bërthamore të Iranit dhe krijimin e një linje të drejtpërdrejtë me Putinin që mund t'i japë fund një lufte që ka vrarë qindra mijëra njerëz.
Megjithatë, sjellja e tij jashtë kornizave tradicionale ka krijuar gjithashtu konfuzion brenda administratës dhe midis aleatëve, argumentojnë kritikët.
“Dhe pavarësisht samitit, lufta në Ukrainë nuk është më afër një përfundimi”, tha Kurt Volker, një ish-ambasador i SHBA-së në NATO, i cili shërbeu si përfaqësues special i SHBA-së për Ukrainën në mandatin e parë të Trumpit.
“Ne jemi pikërisht aty ku ishim para se Trumpi të merrte detyrën”, tha Volker. “Rusia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj asnjë grimcë. Lufta po vazhdon... Ne nuk kemi një strategji të qartë se si ta bëjmë Putinin të ndalojë luftën”.
Shtëpia e Bardhë, mbrojti politikën e jashtme të gjerë të Trumpit dhe e favorizoi atë krahasuar politikën e paraardhësit të tij.
“Administrata e dobët e Joe Bidenit nuk e kuptonte politikën e jashtme dhe ‘procesi i tij tradicional’ i lejoi Rusisë të pushtonte Ukrainën”, tha Anna Kelly, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
“Në të kundërt, udhëheqësit botërorë kanë pohuar se presidenti Trump bëri më shumë përparim drejt paqes në dy javë sesa Joe Biden në tre vjet e gjysmë”, shtoi ajo.
Një sulm rus me raketa dhe dronë së fundmi në të gjithë Ukrainën, që përfshinte bombardimin e dytë më të madh të Kievit gjatë luftës me armë të tilla, nxori në pah mungesën e përparimit në përpjekjet e Trumpit për paqe. I dërguari i tij special në Ukrainë, Keith Kellogg, i denoncoi sulmet si "të shëmtuara" në një postim në X dhe tha se ato "kërcënojnë paqen" që presidenti po ndjek.
Disa zyrtarë amerikanë, përfshirë Kellogg, ishin frustruar që Witkoff pas takimit të tij në Moskë kishte futur informacione të reja kontradiktore në diskutim në një kohë kur SHBA-ja më në fund do të kishte një ndikim më të fortë ndaj Rusisë, tha një zyrtar amerikan, burim i njohur me dinamikën e administratës.
Para takimit në Moskë, administrata Trump kishte lënë të kuptohet se presidenti do ta godiste Rusinë me sanksione ose tarifa të reja më 8 gusht nëse Putini nuk do të pranonte të përfundonte luftën e tij në Ukrainë, një afat që erdhi e shkoi.
Departamenti i Shtetit, i cili merret me çështjet publike për Rubion, Witkoffin dhe Kelloggun, tha se këta tre zyrtarë ishin “në një hap të ngushtë” në zbatimin e politikës së jashtme “Amerika e Para” të Trumpit.
“Çdo pretendim ndryshe është i pavërtetë dhe joproduktiv”, tha Tommy Pigott, zëvendëszëdhënësi kryesor i departamentit.
Një zëdhënës i veçantë për Kelloggun përsëriti këtë qëndrim, duke thënë se ai dhe Witkoffi kanë një marrëdhënie të ngushtë pune dhe ishin në kontakt të rregullt.
Ambasadat ukrainase dhe ruse në Uashington nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Mbretëron konfuzioni transatlantik
Mbështetja e Trumpit te këshilltarët e besuar si Witkoff është shoqëruar me një spastrim agresiv të establishmentit të sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe shkarkimin ose ricaktimin e ekspertëve për Rusinë dhe Ukrainën në Pentagon, Departamentin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Witkoff, një mik i ngushtë i Trumpit, ka fituar lëvdata për etikën e tij të punës. Por disa zyrtarë amerikanë dhe evropianë shqetësohen se rusët po përfitojnë nga mungesa e përvojës së tij në tryezën e negociatave, ka raportuar më parë Reuters.
Në orët e para pas takimit të Witkoff më 6 gusht në Moskë, si ai ashtu edhe Trumpi treguan se besonin se kishte ndodhur një përparim. Të nesërmen, Trumpi tha se së shpejti mund të takohej me udhëheqësin rus, ndërsa më vonë tha se një shkëmbim territoresh do të ishte i nevojshëm për t'i dhënë fund luftës.
Kjo i alarmoi zyrtarët evropianë, të cilët kanë frikë se një politikë më e butë e SHBA-së nen Trumpin ndaj Putinit mund t'i detyrojë ukrainasit të bëjnë lëshime të dhimbshme për t'i dhënë fund konfliktit që filloi me pushtimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe u intensifikua me pushtimin e saj në shkallë të plotë në vitin 2022.
Evropianët i kaluan ditët në vijim duke u përpjekur të përcaktonin nga homologët e tyre amerikanë saktësisht se çfarë i tha Putini Witkoffit, sipas disa zyrtarëve amerikanë dhe evropianë.
Disa zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Kellogg dhe Rubio, fillimisht nuk kishin informata rreth disa detajeve të takimit Witkoff, sipas një zyrtari amerikan dhe një burimi të njohur me dinamikën e administratës, i cili nuk dha detaje shtesë.
Edhe pse disa zyrtarë evropianë e lavdëruan publikisht Trumpin për përpjekjet e tij diplomatike, shumë ishin të shqetësuar privatisht.
Zyrtarët ukrainas u thanë zyrtarëve të lartë gjermanë më 13 gusht se inteligjenca e tyre tregonte se Putini planifikonte të përdorte samitin me Trumpin për të fituar kohë përpara një ofensive të mundshme ruse në tetor ose nëntor, sipas një burimi gjerman i njohur me paralajmërimin.
Qeveria gjermane refuzoi të jepte detaje shtesë.
“Trumpi nuk do të mbetet pa zgjidhje”
Samiti i Trumpit më 15 gusht me Putinin në Anchorage nuk mundësoi ndonjë përparim të dukshëm. Ai kishte ulur tashmë pritjet në ditët para takimit, duke e portretizuar atë si një hap në një proces diplomatik dhe jo si një mundësi për të arritur një marrëveshje.
Presidenti i SHBA-së nuk bëri asnjë lëshim territorial në emër të Ukrainës, megjithëse doli nga takimi duke thënë se një armëpushim i përkohshëm nuk ishte një parakusht për një paqe të qëndrueshme - një qëndrim i mbajtur nga Putini, por jo nga shumica e udhëheqësve evropianë.
Aleatët evropianë menjëherë filluan të hartonin strategji se si të ndikonin në lëvizjen e ardhshme të Trumpit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili do të takohej me Trumpin në Uashington më 18 gusht, u kërkoi udhëheqësve evropianë gjatë fundjavës të bashkoheshin me të, sipas një zëdhënësi të qeverisë gjermane.
Udhëheqësit debatuan nëse do të shkonin me Zelenskyn në një përpjekje për të shmangur një “fiasko” (dështim në mënyrë poshtëruese) si përballja në Zyrën Ovale në shkurt, ku Trumpi dhe zëvendëspresidenti JD Vance e qortuan udhëheqësin ukrainas, sipas dy burimeve evropiane.
Në fund të fundit, takimi i 18 gushtit, ishte një sukses, duke sinjalizuar bashkëpunimin e rikthyer SHBA-Evropë, thanë disa diplomatë evropianë për Reuters. Vetëm vitin e kaluar, gjatë fushatës zgjedhore, Trumpi e kishte inkurajuar Rusinë të sulmonte aleatët e NATO-s që nuk paguanin drejtë pjesën e tyre në mbrojtje.
Trumpi dhe udhëheqësit evropianë ranë dakord të hartonin zyrtarisht konturet e garancive të ardhshme të sigurisë për Ukrainën. Në ditët e fundit, ministrat e Jashtëm dhe zyrtarët ushtarakë kanë zhvilluar telefonata për të përcaktuar rolin që do të luante secili vend në këtë përpjekje.
Megjithatë, fundi i luftës duket i largët.
Zyrtarët rusë, përfshirë ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, e kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë asnjë garanci sigurie ukrainase që parashikon trupa të huaja në Ukrainë. Teksa Trumpi kishte bërë thirrje për një takim midis Putinit dhe Zelenskyt, Moska ka thënë se një samit i tillë është i pamundur në afat të shkurtër.
Volker, ish-i dërguari i Trumpit, shprehu optimizëm se Trumpi në fund të fundit do të ushtrojë presion të madh mbi Putinin për të ndryshuar qëndrimin e tij përmes sanksioneve më të ashpra ekonomike dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
“Mendoj se Trumpi është mishërimi i asaj thënieje të Churchillit ku ‘gjithmonë mund të mbështetesh te amerikanët se do të bëjnë gjënë e duhur pasi të kenë shteruar të gjitha alternativat e tjera të mundshme’”, tha Volker.
“Trumpi nuk do të mbetet në të vërtetë pa zgjidhje”.