Botë

Shkarkohet komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka shkarkuar nga detyra komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura të vendit, Valerii Zaluzhnyi, ka raportuar BBC-ja të enjten.

Ky vendim erdhi pas spekulimeve për një përçarje mes presidentit dhe gjeneralit Zaluzhnyi, që ka udhëhequr përpjekjet e Ukrainës ndaj agresionit rus.

Gjenerali Oleksandr Syrskyi mori postin e komandantit të përgjithshëm me dekret presidencial.

Ky vendim shënon ndryshimin më të madh në udhëheqjen e ushtrisë ukrainase, qëkur nisi agresioni i Rusisë në shkurtin e 2022-s.

Zelensky ka shtuar se komanda e lartë duhet të rikonstruktohet dhe gjenerali Zaluzhnyi “mund të mbetet në ekip”.

“Duke nisur nga sot, një ekip i ri drejtues do të marrë drejtimin e Forcave të Armatosura”, ka thënë Zelensky.

Ai ka shtuar se me komandantin e emëruar ka pasur një bisedë të sinqertë mbi ndryshimet e nevojshme në ushtri.