Shtatë dekada pas vdekjes së saj, Evita vazhdon të zgjojë pasionet në Argjentinë pasi ndjekësit e saj besojnë se imazhi i saj si kampione e të varfërve është më i rëndësishëm se kurrë në një kohë kur pabarazia dhe varfëria po rriten, ndërsa ekonomia po ngec në kulmin e inflacionit
María Eva Noble thotë se po e nderon trashëgiminë e emnakes së saj ndërsa punon në një kuzhinë popullore në një lagje të klasës punëtore të Buenos Airesit.
Emrin ia lanë në nderim të ish-zonjës së parë ikonike argjentinase, María Eva Duarte de Perón, e njohur më fort si Eva Perón ose Evita, e cila vdiq 70 vjet më parë. Kuzhina e supës ku Noble kryen detyrën vullnetare në lagjen Flores ofron dreka të përditshme për rreth 200 persona dhe drejtohet nga një organizatë që mban edhe emrin e lideres së ndjerë.
Megjithëse nuk ka lidhje me Eva Perón, Noble thotë: "Unë mbaj Evitan në ADN-në time". Dhe nuk është e vetmja që ndihet kështu.
Kriza fuqizon kujtimin për të
Shtatë dekada pas vdekjes së saj, Evita vazhdon të zgjojë pasionet në Argjentinë pasi ndjekësit e saj besojnë se imazhi i saj si kampione e të varfërve është më i rëndësishëm se kurrë në një kohë kur pabarazia dhe varfëria po rriten ndërsa ekonomia po ngec në kulmin e inflacionit.
Evita ka qenë subjekt i librave të panumërt, filmave, shfaqjeve televizive dhe madje edhe një mjuzikli në Broadway, por për disa nga ndjekësit e saj më të vjetër, më të zjarrtë, lidhja me aktoren e kthyer në lidere politike është shumë më personale.
Juana Marta Barro ishte një nga dhjetëra personat që u rreshtuan të martën në mëngjes për të vendosur lule dhe për të nderuar varrin e Evitas, që ndodhet në lagjen Recoleta në kryeqytetin e Argjentinës.
Me lot në sy, 84-vjeçarja Barro, e bija e një shërbyeseje shtëpie, kujtoi se si jeta e saj në provincën veriore Tucumán u përmirësua pasi Evita doli në skenën politike dhe papritmas ajo u bë me këpucë më të mira dhe uniformë shkolle.
“Falë saj hodha çantën time të parë krahëve”, tha Barro, që ende kujton entuziazmin e Evitës duke kaluar me tren pranë qytetit të saj. "Ajo është një pishtar që shkëlqen në zemrën time”.
Evita lindi në një shtëpi modeste në Los Toldos, qytet i vogël rural rreth 3.00 kilometra larg kryeqytetit, ku u transferua kur ishte 15 vjeçe për të ndjekur ëndrrën e saj për t'u bërë aktore. Një dekadë më vonë takoi Juan Domingo Perónin, oficer ushtarak që ishte zyrtar qeveritar.
Evita ishte pranë tij kur Peróni fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 1946 dhe vazhdoi të kishte rol të paprecedentë si një zonjë e parë e fuqishme, duke e vënë veten në krye të çështjeve të të drejtave të grave, duke përfshirë të drejtën e votës që u miratua një vit më vonë dhe duke krijuar një fondacion për të ndihmuar punëtorët dhe të varfrit.
Dashuri dhe urrejtje
Po aq sa Evita ishte e dashur, ajo urrehej po aq nga shumë të pasur dhe të fuqishëm të vendit, të cilët ishin të kujdesshëm ndaj popullaritetit dhe ndikimit të saj në rritje.
Koha e saj në qendër të vëmendjes ishte intensive, por e shkurtër, pasi ajo vdiq nga kanceri i qafës së mitrës në moshën 33-vjeçare, gjë që nxiti pikëllimin në rrugë, ndërsa vendi i Amerikës së Jugut do të mbante zi të madhe.
Peróni u zgjodh president edhe dy herë të tjera dhe ishte themeluesi i lëvizjeje politike - peronizmi - që dominon jetën politike argjentinase deri më sot, me shumë liderë me pikëpamje të ndryshme ideologjike që pretendojnë besnikëri ndaj ish-gjeneralit.
“Peróni respektohej – ju ose u pajtuat me atë që thoshte, ose jo. Por Evita ishte e dashur ose e urryer dhe përfundoi duke kontribuar me një dozë të fortë emocioni për peronizmin”, tha Felipe Pigna, historian që ka shkruar gjerësisht për ish-zonjën e parë.
Për disa, ky emocion ende jeton.
María Eva Sapire u bashkua me pothuajse 100 të tjerë një ditë përpara përvjetorit të vdekjes së Evitës për t'u veshur si ajo, si pjesë e një shfaqjeje që nderoi ish-zonjën e parë. Sapire ka emrin e mesëm të Evitës dhe tani i flet vajzës për të.

“Kur dëgjon fjalimet e saj është e mahnitshme se si kaq shumë gjëra ende përshtaten kaq shumë vite më vonë”, tha Sapire.
“Ikonë popi”
Të tjerët që nderuan Evitën më vonë, shpesh thonë se ishte pikërisht ndjenja se ajo ishte e avancuar për kohën e saj në shumë çështje, veçanërisht në të drejtat e grave, që i bëri t'u bashkoheshin legjioneve të saj të fansave.
“Në veçanti të rinjtë shohin një rebele te Evita, një figurë që nuk e uli kokën apo nuk u dorëzua” dhe vdiq “e re dhe e bukur”, gjë që kontribuoi në ndërtimin e “ikonës së popit”, tha Pigna.
"Eva është një personazh që bën magji", tha Alejandro Maci, regjisor i serialit të ri "Santa Evita" që u shfaq premierë të martën në shërbimet e transmetimit të Disneyt, bazuar në një roman të vitit 1995 nga shkrimtari argjentinas, Tomás Eloy Martínez.
Perón dhe Evita vazhdojnë të jenë objekt kritikash si brenda Argjentinës ashtu edhe jashtë saj. Disa, për shembull, thonë se Evita përdori para nga shteti për të kryer ato që ajo i përshkroi si punë bamirësie për të ndërtuar imazhin e saj si figurë e shenjtë dhe për të ndihmuar burrin e saj të rrittë popullaritetin. Të tjerë tregojnë gjithashtu pretendimet se çifti mori para nga nazistët për të ndihmuar autorët e krimeve të luftës të fshiheshin në Argjentinë pas Luftës së Dytë Botërore.