Një nga aktivistet më të njohura në Meksikë për personat e zhdukur gjeti së fundmi mbetjet e njërit prej djemve të saj, i cili kishte vite që ishte zhdukur. Tani, ajo ia ka kushtuar gjithë jetën kërkimit të djalit tjetër. Historia e Cecilia Flores është kthyer në simbol të dhimbjes, guximit dhe luftës së mijëra nënave meksikane që ende kërkojnë fëmijët e tyre të humbur mes dhunës së karteleve dhe heshtjes së autoriteteve.
Kur mbërriti në fushën në veri të Meksikës, ku prej vitesh kërkon mbetjet e djalit të saj, Cecilia Flores puthi një pankartë të madhe me fotografinë e tij. Në të shkruhej me germa të mëdha: “Nëna jote po lufton sepse të do”.
Atë mëngjes të nxehtë prilli, Flores udhëhiqte një grup nënash të tjera, arkeologësh dhe kriminalistësh që po kërkonin persona të zhdukur. Një ekskavator hapte kanale rreth 1.2 metra të thella dhe deri në 55 metra të gjata.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDjali i saj, Alejandro, u zhduk në vitin 2015, kur ishte vetëm 21 vjeç. Prej katër vitesh ajo rikthehet vazhdimisht në këtë zonë të shtetit Sinaloa, pasi mori një informacion anonim se mbetjet e djalit të saj mund të ndodheshin aty, në një fushë ku më parë janë gjetur edhe trupa të tjerë.
“Nëse e gjej djalin tim, do të ndërtoj një altar këtu”, tha Flores.
Kjo është dhimbja e përhershme e “nënave kërkuese”, siç njihen në Meksikë gratë që kërkojnë të afërmit e tyre të zhdukur. Pak prej tyre janë aq të njohura sa Cecilia Flores, 53 vjeçe, themeluese e disa organizatave, përfshirë “Madres Buscadoras de Sonora” - Nënat Kërkuese të Sonorës, një shtet në veriperëndim të Meksikës.
Shumë nëna kalojnë vite të tëra pa gjetur asnjë gjurmë të njerëzve të tyre të dashur, ndërsa disa nuk i gjejnë kurrë. Flores, nënë e gjashtë fëmijëve, ka dy djem të zhdukur.
Por në fund të marsit, prokurorët në Sonora e telefonuan për t’i thënë se mund të kishin gjetur djalin e saj tjetër, Marco Antonio, i zhdukur në vitin 2019 në moshën 32-vjeçare. Shpresa e saj ishte ringjallur dhe shuar pesë herë më parë gjatë viteve. Megjithatë, ajo shkoi menjëherë në vendngjarje dhe ndihmoi në gërmime.
Në një video prekëse, që u pa gati një milion herë në internet, ajo ngriti në duar një kockë femuri të gjetur në shkretëtirë. Analizat e ADN-së konfirmuan më vonë se ajo i përkiste djalit të saj. Autoritetet thanë se në pronën e një burri tashmë të vdekur, i dyshuar si pjesëmarrës në zhdukjen e Marco Antonios, u gjetën fragmente kockash, rroba dhe gëzhoja armësh.
Mbetjet e Marco Antonios u gjetën vetëm rreth 90 metra larg vendit ku Flores dhe vajzat e saj kishin kërkuar tri vjet më parë, pas një informacioni që ajo kishte marrë nga një i burgosur. Por ato kishin ndaluar kërkimet kur zhurmën e motoçikletave nga një fermë aty pranë e kishin ngatërruar me ardhjen e anëtarëve të kartelit - një kërcënim real me të cilin Flores është përballur edhe më parë.

“Kriza” e personave të zhdukur
Gratë që kërkojnë personat e zhdukur në Meksikë janë vrarë vazhdimisht ndër vite, madje edhe fundjavën e kaluar pati raste të tilla.
“Nuk ishte ende koha për ta gjetur”, tha ajo.
Për gati një dekadë, Cecilia Flores është bërë një nga figurat më të njohura të krizës së personave të zhdukur në Meksikë, ku mbi 133 mijë njerëz rezultojnë të humbur. Pothuajse të gjithë janë zhdukur gjatë dy dekadave të fundit, shumë prej tyre nga grupet kriminale ose me përfshirjen e zyrtarëve të korruptuar.
Kjo krizë ka rënduar edhe administratën e presidentes Claudia Sheinbaum, e cila ka premtuar drejtësi për të zhdukurit dhe ka ndërmarrë disa hapa pozitivë, derisa po përballet me presion në rritje për të bërë më shumë.
Megjithëse statistikat zyrtare tregojnë se numri i vrasjeve është ulur me rreth 40 për qind gjatë mandatit të Sheinbaum, e cila mori detyrën në tetor 2024, numri i personave të zhdukur është më shumë se dyfishuar që nga viti 2016 dhe ka vazhduar të rritet çdo vit.
Muajin e kaluar, Sheinbaum pati përplasje me një grup ekspertësh të Kombeve të Bashkuara, pas një raporti kritik që arrinte në përfundimin se zhdukjet në Meksikë janë të përhapura dhe sistematike, shpesh me përfshirjen ose tolerimin e autoriteteve.
“Ata duan të shtiren sikur asgjë nuk po ndodh, sikur gjithçka po përmirësohet, por kjo nuk është e vërtetë,” tha Flores, ndërsa qëndronte pranë një statuje të Shën Judës, shenjtorit katolik. “Çdo ditë zhduken njerëz”.
Pavarësisht se jeton nën kërcënim të vazhdueshëm, Cecilia Flores nuk ka frikë të thotë hapur atë që e mendon.
Së fundmi, ajo publikoi një video në rrjetet sociale ku i kërkonte Joaquín Guzmán Loeras, i njohur si “El Chapo”, ish-liderit famëkeq të Kartelit të Sinaloas që aktualisht ndodhet në burg në SHBA, ta ndihmonte me informacione për gjetjen e djalit të saj. Madje, ajo publikoi edhe adresën e saj. Flores tha se besonte që Guzman “ishte një njeri i mirë sepse kishte ndihmuar shumë të varfrit” dhe se tani duhet të ndihmonte edhe nënat që kërkojnë fëmijët e tyre.
Megjithatë, jo të gjithë i kanë mirëpritur metodat e saj.
Mirna Nereida Medina Quiñonez, e cila themeloi një grup nënash kërkuese në veri të Sinaloas në vitin 2014 pasi edhe djali i saj u zhduk, e kishte mbështetur Flores kur Alejandro u zhduk. Ajo tha se Flores ishte guximtare, por nuk pajtohej me mënyrën e saj për të tërhequr shumë vëmendje publike, sepse kërkimet janë tepër të rrezikshme.
“Ajo nuk na përfaqëson ne”, tha Medina. “Unë kërkoj prej 12 vjetësh dhe kemi gjetur njerëz, por e bëjmë në heshtje sepse përpiqemi të mbrojmë veten. Jemi nën kërcënim”.
Flores është kritikuar edhe për thirrjet e saj për një armëpushim me grupet kriminale, në mënyrë që nënat të mund të kërkojnë të afërmit e tyre pa rrezik.
“Jam bërë hetuese e çdo gjëje për shkak të këtij obsesioni që kam për të gjetur djalin tim”, tha ajo. “Jo sepse më intereson të zbuloj ku ndodhen bazat kriminale, laboratorët e drogës apo ku shitet karburanti i vjedhur”.
Gjetja e mbetjeve të Marco Antonios i solli Flores një ndjenjë të përkohshme qetësie. Por ajo tha se nuk do të gjejë paqe derisa të gjejë djalin e saj më të vogël, Alejandro. Sipas saj, Marco Antonio kishte qenë duke shitur drogë për autoritete lokale të korruptuara kur u zhduk. Ndërsa Alejandro, tha ajo, “ndodhej në vendin e gabuar në kohën e gabuar” pranë qytetit të tyre, Juan José Ríos, kur u rrëmbye nga një grup kriminal.
Një nga arsyet pse Flores fle vetëm katër orë në natë janë mendimet për hakmarrje.
“Shpesh mendoj se autoritetet duhet t’i ndëshkojnë fajtorët”, tha ajo. “Ata duhet të paguajnë për atë që i bënë djalit tim. Mendimet për hakmarrje janë të tmerrshme, sepse nuk të lënë të jetosh, nuk të lënë të pushosh dhe nuk të japin paqe”.
Pasi Marco Antonio u varros, Flores u largua nga shteti Sonora dhe u kthye në Sinaloa, në shtëpinë modeste me dy dhoma të nënës së saj, për t’iu përkushtuar plotësisht kërkimit të Alejandros. Ajo kishte provuar ta kërkonte edhe më parë, por ndaloi kur anëtarë të kartelit lokal u shfaqën dy herë në shtëpinë e nënës së saj duke e kërkuar.
“Jetoj me shumë frikë se mos i ndodh diçka asaj”, tha mes lotësh nëna e Flores, Marcela Armenta, 70 vjeçe.

“Nuk do të ndalem kurrë”
Gjatë viteve të fundit, Flores ka pasur mbrojtje policore 24 orë në ditë. Megjithatë, ajo tha se vazhdon të ketë frikë nga autoritetet e korruptuara në Meksikë.
“Problemi nuk është nëse më marrin mua”, tha Flores. “Problemi është nëse e bëjnë para familjes sime. Nuk dua që edhe nëna ime të bëhet nënë kërkuese”.
Pavarësisht rrezikut, Flores vazhdon ta bëjë misionin e saj publik. Ajo publikon numrin e telefonit në rrjetet sociale dhe transmeton drejtpërdrejt në Facebook gjatë kërkimeve, shpesh në zona të izoluara dhe të rrezikshme.
Së fundmi, ajo filmoi ndërsa nëna të tjera dhe vëllai i saj përdornin një përzierje mielli dhe uji për të ngjitur posterë të personave të zhdukur në shtylla elektrike në qytete të vogla. Ajo u kujdes që posterët të vendoseshin përballë një lokali të frekuentuar nga “njerëzit e këqij”.
Flores përdor ndjekësit e shumtë në rrjetet sociale për të siguruar të ardhura dhe për të mbledhur fonde për grupet e kërkimit, duke shitur bizhuteri, kozmetikë dhe produkte të tjera.
Në qytetin Corerepe, grupi i saj tërhoqi vëmendje edhe për shkak të eskortës policore. Burra me motoçikleta, që besohet se punonin për kartelet si vrojtues, kalonin vazhdimisht pranë tyre.
Në disa vende, Flores tha se ajo dhe nënat e tjera kanë vendosur posterë të personave të zhdukur, vetëm për të zbuluar më vonë se ishin hequr. Ajo tha se kjo ishte si “të provosh të shtysh një shkëmb me gjoks”.
“Po luftojmë kundër apatisë, burokracisë dhe riviktimizimit nga gra dhe burra që nuk e pëlqejnë atë që bëjmë, sepse mendojnë se është humbje kohe dhe se ne po kërkojmë kriminelë që nuk meritonin të jetojnë”, tha ajo.
Për Maria Isabel Zavala Monrreal, 53 vjeçe, djali 22-vjeçar i së cilës u zhduk në Juan José Ríos në vitin 2013, Flores është një burim force dhe frymëzimi në kërkimin për mbetjet e djalit të saj. Ajo tha se bashkëshorti i saj nuk e ka ndihmuar kurrë në kërkime, pjesërisht sepse ai dëshiron ta lërë të kaluarën pas.
“Është një betejë sa herë që vij të kërkoj”, tha ajo duke qarë. “Nuk do të ndalem kurrë”.
Kërkimet janë bërë një lloj terapie për këto nëna.
Ndërsa ekskavatori vazhdonte zhurmën pranë fushës në Sinaloa, Flores, Zavala Monrreal dhe nëna të tjera rrinin ulur në hije duke ndarë dhimbjen me njëra-tjetrën.
Në njërën prej gropave të hapura, Flores gjeti një copë të grisur jeshile. Ajo nxori telefonin dhe tregoi një fotografi të Alejandros, i cili kishte veshur një bluzë jeshile polo ditën që u zhduk.
“Ndoshta është ai”, tha ajo.