Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shembet një pjesë e ikonës së Galapagosit, Harkut të Darvinit

Turistët me barka në Galapagos kanë raportuar se e kanë parë Harkun e Darvinit duke u shembur në Oqeanin Paqësor. Shkëmbi i madh unik, që e ka marrë emrin sipas shkencëtarit britanik, Charles Darwin, është krahasuar shpeshherë me monumentin e “Harkut të Triumfit” në Francë.

“Erozioni natyral” e ka shkaktuar shembjen e Harkut të Darvinit në ishujt Galapagos, ka bërë të ditur Ministria e Ambientit në Ekuador.

Në fotografitë e shpërndara të martën shihen vetëm dy gurë të mbetur në ishullin verior të arkipelagut të Oqeanit Paqësor, që shtrihet 1.000 kilometra larg kontinentit të Amerikës së Jugut.

Harku ikonik është i njohur si hapësirë zhytjeje me breshka deti, peshkaqenë dhe delfinë. Uebfaqja për zhytje “Scuba Diver Life” ka njoftuar se vizitorët në një barkë zhytjeje e kanë parë shembjen pak para mesditës, sipas kohës lokale, gjatë ditës së hënë.

Formimi me gurë e kishte marrë emrin e Darwinit, i cili i kishte vizituar ishujt më 1835 me anijen “HMS Beagle” dhe e kishte krijuar teorinë e evolucionit, duke i ekzaminuar zogjtë e llojit finch.

UNESCO-ja e kishte shpallur hapësirën si Vend të Trashëgimisë Botërore më 1978.

Arkipelagu i Galapagosit përfshin 234 ishuj, gjire dhe shkëmbinj dhe mburret me florën dhe faunën unike që nuk mund të hasen askund tjetër në tokë. Njerëzit janë të vendosur në katër ishuj që janë shtëpi për 30.000 banorë.

Edhe Në Galapagos vërtetohet ekzistenca e species së breshkës që mendohej e zhdukur Kuriozitet Në Galapagos vërtetohet ekzistenca e species së breshkës që mendohej e zhdukur

Rezerva detare, e vendosur në bashkimin e tri rrymave oqeanike, përshkruhet në faqen e internetit të UNESCO-s si një “muze i gjallë dhe vitrinë e evolucionit”.

Vitin e kaluar, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtje të Natyrës – një grup këshillues për UNESCO-n – kishe ngritur alarmin shkaku i “pranisë së madhe të anijeve industriale të peshkimit nga vende të ndryshme” afër ishujve të Galapagosit.

Harku i Darvinit, që fillimisht ishte 18 metra i lartë, qëndroi mbi një rrafshnaltë të përmbytur, duke u mundësuar zhytësve që të mbahen te shkëmbinjtë nënujorë dhe ta vështrojnë spektaklin e specieve ujore. Për shkak të formës së tij, harku nganjëherë lidhej me monumentin parisien të “Harkut të Triumfit”.