Në 30-vjetorin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë thirrje që të mbrohet liria e medias dhe të promovohet ajo në tërë globin. Në një reagim të nisur nga Sekretari i Shtetit, Anthony Blinken, u tha se burgimi, frikësimi, censura dhe diskriminimi janë disa prej kërcënimeve që iu bëhen gazetarëve në mbarë botën.
“Shumë qeveri e përdorin represionin për të heshtur fjalën e lirë, duke përfshirë edhe hakmarrjen kundër gazetarëve që thjesht bëjnë punën e tyre. Ne përsëri u bëjmë thirrje autoriteteve ruse që të lirojnë menjëherë reporterin e ‘Wall Street Journal’ Evan Gershkovich dhe të gjithë gazetarët e tjerë të arrestuar për ushtrim të lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.
Blinken shtoi se qeveritë në mbarë botën kanë shfrytëzuar mjete të ndryshme që çojnë në mbylljen e mediave.
“Në 30-vjetorin vjetor të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Shtetet e Bashkuara shprehin mirënjohjen e thellë për gazetarët dhe profesionistët e shquar të medias anembanë botës, puna e të cilëve siguron rrjedhën e informacionit dhe ideve që formojnë gjakun jetësor të shoqërive të lira dhe të hapura. Sot reflektojmë edhe për sakrificën e jashtëzakonshme të bërë nga kaq shumë gazetarë në kryerjen e këtij profesioni fisnik”, thuhet tutje.