Të mërkurën mbrëma është mbajtur debati i dytë i kandidatëve republikanë për nominimin presidencial. Edhe këtë debat e ka shmangur Donald Trumpi, i cili është kritikuar nga rivalët. Ai nuk ka shkuar edhe në debatin e dytë me arsyetimin se është shumë përpara nga garuesit e tjerë republikanë.
Shtatë rivalët e Donald Trumpit kanë ashpërsuar kritikat ndaj tij në debatin e dytë të kandidatëve republikanë për garën presidenciale.
Me kritika dhe sulme të drejtpërdrejta ndaj ish-presidentit kanë bërë përpjekje t’i afrohen, për shkak se Trumpi mban distancë të madhe në sondazhe.
Të gjithë kandidatët që prej fillimit të debatit i janë vërsulur Trumpit, ani pse ai nuk mori pjesë për shkak se është shprehur i bindur se është shumë larg tyre në garën partiake për të fituar nominimin presidencial.
Gara pritet të ashpërsohet edhe më shumë pasi kanë mbetur vetëm katër muaj nga procesi i nominimit që fillon në Iowa.
Ron DeSantis, Chris Christie, Nikki Haley, Vivek Ramaswamy, Tim Scott, Mike Pence dhe Doug Burgum kanë thënë se Donald Trumpi duhet të marrë pjesë në këto debate për të mbrojtur qëndrimet e tij.
Të gjithë kandidatët kanë folur që prej problemeve me emigrantët në kufi me Meksikën e deri te lufta ruse në Ukrainë.
Nikki Haley dhe kandidati Scott kanë thënë se do të vazhdonin përkrahjen për Ukrainën nëse do të bëheshin president, teksa Ramaswamy ka kritikuar Kievin për shtypje të opozitës.
Pas dy orësh debat dhe kritikash edhe ndaj Trumpit, kandidatët janë pyetur nga udhëheqësit e debatit se për kë do të votonin në zgjedhjet presidenciale, shumica prej tyre kanë refuzuar të përgjigjen, teksa kandidati Chris Christie ka thënë se do ta votonte Trumpin.
Ndërkohë Trumpi të mërkurën ka bërë fushatë para punëtorëve në fabrikën e prodhimit të autopjesëve.