Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një rekord të ri të të shtruarve nëpër spitale si pasojë e infektimit me COVID-19, duke regjistruar kështu 132 mijë e 646 persona të hospitalizuar gjatë 10 janarit.
Kjo shifër e raportuar të hënën ka tejkaluar rekordin e deritanishëm, i cili ishte 132 mijë e 51, i vendosur në janar të vitit të kaluar.
Numri i të shtruarve në spital është rritur vazhdimisht që nga fundi i dhjetorit, duke u dyfishuar në tre javët e fundit, pasi varianti Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi, po vlerësohet si variant dominues i virusit në Shtetet e Bashkuara.
Delaware, Illinois, Maine, Maryland, Missouri, Ohio, Pennsylvania, Puerto Rico, Ishujt e Virgjër të SHBA-së, Vermont, Virxhinia, Uashington DC dhe Wisconsin kanë raportuar numra rekord të pacientëve të shtruar me COVID-19 kohët e fundit, sipas analizës së Reuters.
Zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se numri i madh i infeksioneve të shkaktuara nga varianti Omicron mund të sforcojë sistemet e spitaleve, ndërsa luftojnë për të trajtuar rritjen e pacientëve duke marrë parasysh mungesën e stafit.