SHBA-ja po përgatitet të njoftojë plane për tarifa të reja për disa vende të mërkurën, raporton BBC-ja.
Taksat e reja të importit do të godisnin shumë nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, me Kinën, Bashkimin Evropian dhe Japoninë midis të paktën 14 juridiksioneve të prekura.
Ky veprim vjen pas hetimit të Shtëpisë së Bardhë për të ashtuquajturin "Seksioni 301". Ai u nis në mars pasi Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi që tarifat e të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit” të presidentit Donald Trump ishin të paligjshme.
Trumpi i ka bërë tarifat një politikë dalluese të presidencës së tij, duke argumentuar se ato do të ndihmojnë në nxitjen e prodhimit amerikan dhe krijimin e vendeve të punës.
Presidenti ka shkaktuar tronditje në të gjithë botën kur zbuloi tarifa gjithëpërfshirëse për partnerët tregtarë globalë në prill 2025, pak pas kthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërsa tarifat janë hequr më vonë, përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, ka argumentuar atëherë se mbiprodhimi jashtë vendit po zhvendoste prodhimin amerikan dhe po pengonte investimet.
Sipas tarifave të reja, vendet do të përballen me norma të ndryshme të taksave të importit në varësi të marrëveshjeve që kanë arritur më parë me Trumpin.
Njoftimi pritet të rrisë tensionet midis SHBA-së dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë, të cilat mbeten të bllokuara në një mosmarrëveshje tregtare.
Pavarësisht takimit të javës së kaluar midis Trumpit dhe presidentit Xi Jinping, të dy palët ende nuk e kanë zgjidhur plotësisht mosmarrëveshjen e tyre me një marrëveshje të përkohshme që do të skadojë më 10 janar.
Në prag të samitit të Shenzhen-it, SHBA-ja ka akuzuar Kinën se nuk i përmbushi plotësisht kushtet e asaj që kishin rënë dakor në Korenë e Jugut në tetor 2025.
Washingtoni zyrtar ka thënë se Pekini zyrtar nuk po i përmbushte plotësisht angazhimet e tij, "veçanërisht ato që lidhen me blerjet bujqësore, mineralet e rralla dhe mineralet e tjera kritike".
Megjithatë, të martën, Kina ka zgjatur pezullimin e një ndalimi për eksportet e mineraleve kritike, duke përfshirë galiumin, germaniumin, antimonin, deri më 27 janar. Përndryshe, ndalimi do të kishte hyrë në fuqi të premten.
Politika tarifore e administratës Trump është kritikuar për rritjen e çmimeve për konsumatorët amerikanë dhe dëmtimin e ekonomisë globale.