Ndaj afatit pesëditor të ankesave dhe akuzave për goditje të skenës së pavarur kulturore, Ministria e Kulturës me listën përfundimtare të “Thirrjes publike për projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026” i është “kundërpërgjigjur” me rritje prej 86 mijë eurosh ose 12.7 për qind nga ajo preliminare. Shuma fillestare prej 673 mijë e 130 eurosh, në listën përfundimtare ka ndryshuar duke u bërë 759 mijë e 130 euro. Pos disa projekteve të reja në listë përfundimtare, ka edhe rritje për disa të tjera ndryshe prej listës paraprake pa sqarim se me çfarë formule është bërë ky rivlerësim
Një muaj pasi ka publikuar atë që është listë preliminare, Ministria e Kulturës ka zbardhur për publik listën përfundimtare të organizatave që janë përkrahur në kuadër të “Thirrjes publike për projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026”. Ankesat kanë bërë që, nga 153 organizata sa ishin fillimisht, pas ankesave të përkrahen 169. Dhe financiarisht janë shtuar 86 mijë euro. Shuma fillestare prej 673 mijë e 130 eurosh, në listën përfundimtare ka ndryshuar duke u bërë 759 mijë e 130 euro. Në listë përfundimtare ka edhe rritje shumash për disa projekte ndryshe prej asaj preliminare, pa e sqaruar se mbi çfarë baze është bërë një gjë e tillë.
Përderisa lista përfundimtare për projektet individuale s’është publikuar ende, Ministria e Kulturës edhe pas ankesave ka lënë jashtë ngjarje tashmë tradicionale. E, shuma e përkrahjes s’ka prekur maksimumin e përcaktuar nga vetë thirrja.
Ministria e Kulturës s’i ka mirë hesapet me buxhet dhe një gjë e tillë dëshmohet edhe në përkrahjen që sivjet i bën skenës së pavarur kulturore. E reagimet veçse kanë nisur.
Pas numrit rekord prej 153 sa ishin në listën e organizatave të përkrahura të publikuar më 23 tetor, tash janë shtuar edhe 16. Organizatat e përkrahura pas ankesave janë “Kthesa”, me 2 mijë e 500 euro, “Kosova Fest”, me 2 mijë euro, “Nëna Tereza”, me 5 mijë euro, ajo e Durim Kryeziut që figuron në emër të tij, me 5 mijë euro, “Agimili”, me 2 mijë e 500 euro, Instituti i Artit Bashkëkohor, me 5 mijë euro dhe “Karadaku”, me 3 mijë euro. Po ashtu, listës i janë shtuar edhe “Iniciativa e të rinjve për rini e kulturë”, me 3 mijë euro, “Neo Musica – Lyra Fest”, me 5 mijë euro, “Zëri aktiv i femrave”, me 3 mijë euro, “Ana Morava”, me 5 mijë euro, “Global Acting Network”, me 3 mijë euro, “Fondacioni për Gjakovën”, me 10 mijë euro, “Durimish Asllano”, me 5 mijë euro, “Tradita në Art”, me 3 mijë euro dhe “Flaka e Llapit”, me 5 mijë euro.
Në listën përfundimtare, në nëntë raste janë rritur vlerat e financimit, në dallim nga lista paraprake. Fondacionit “Rame Lahaj”, nga 11 mijë euro, shuma i është rritur në 15 mijë euro, e fondacionit “Rona Nishliu”, nga 10 mijë euro, shuma e përkrahjes i është rritur në 15 mijë euro. Në raste të tjera, rritja nuk shkon mbi 3 mijë euro. “Peja Jazz”, nga 5 mijë, do t’i ketë 7 mijë euro, kurse “Integra”, nga 8 mijë në 10 mijë euro. Kurse ansambli “Attacca”, që ishte përkrahur me 5 mijë euro, në listën përfundimtare figuron me 8 mijë euro.
Edhe
Ministria e Kulturës inkurajon artistët të ankohen, ua përmend milionat
Te lista e re nuk figuron festivali i teatrit në ambient të hapur, “Prizren Fest”. Drejtori i përgjithshëm i Festivalit, aktori Shkëlzen Veseli ka thënë se “Prizren Fest” është unik në konceptin e tij, një festival ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur, i cili përmes një programi të dëshmuar artistik ka sjellë në Prizren trupa teatrore dhe produksione me vlera të larta artistike nga vende të ndryshme të botës.
“Dhe pikërisht në këtë moment, kur rezultatet tona janë më të dukshme se kurrë, kur festivali ka zgjeruar rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe ka dëshmuar se është një projekt serioz, i qëndrueshëm dhe me perspektivë evropiane, Ministria vendos të bëjë të kundërtën: ta përjashtojë PrizrenFest-in nga mbështetja institucionale. Pyetja jonë është e thjeshtë: Pse? Sepse jemi rritur dhe kemi qenë të suksesshëm? Sepse nuk jemi mësuar të nënshtrohemi? Apo sepse nuk arrini të bëni dallimin ndërmjet një projekti të mirëfilltë artistik dhe një aktiviteti pa peshë kulturore?”, ka thënë ai.
Në fund të tetorit, dy muaj pa u mbyllur viti, Ministria e Kulturës dhe e Turizmit ia kishte dhënë skenës së pavarur kulturore goditjen e radhës. Pos vonesës me shpalljen e “aplikantëve të suksesshëm”, institucioni më i lartë kulturor preku edhe buxhetin. As një milion euro në total nuk arrinte buxheti për projektet individuale në fushën e kulturës dhe ato të organizatave joqeveritare. Me listat e shpallura në tetor, kanë rënë në ujë “reformat” e proklamuara, tok me zotimet për rritje buxheti. Krejt kjo vjen edhe si pasojë e keqplanifikimit, sikurse edhe e rritjes së pamenaxhuar të viteve të kaluara.
Në listën preliminare të aplikantëve të suksesshëm të thirrjes publike “Projekt-propozimet në fushën e artit dhe kulturës për vitin 2026 – individë” figurojnë 93 projekte të përkrahura në total me 257 mijë e 450 euro. Buxheti për të dyja thirrjet arrinte në 930 mijë e 580 euro, larg zotimeve për përkrahje milionëshe. Tash, pas ankesave, bashkë me shtesat që janë bërë te organizatat, buxheti prek një milion euro. Te thirrja për individët, afati i ankesave qe 15 ditë dhe ende s’ka rezultate. Tek ajo e organizatave joqeveritare, afati i ankesave ishte 5 ditë.
As në listën përfundimtare të organizatave nuk figurojnë emrat e anëtarëve të komisioneve vlerësuese, përderisa KOHA ka marrë vesh se edhe propozimet e tyre janë prekur, duke zbritur shumat para se të shpallen rezultatet. Dy burime ia kishin konfirmuar KOHËS se vetëm te propozimet për OJQ, Komisioni kishte propozuar projekte në vlerë prej 1.6 milion eurosh. Kur ky propozim kishte arritur në instanca më të larta, ishte zbritur për hiç më pak se një milion euro.
Listat dëshmojnë se është prekur edhe kufiri deri në 20 mijë euro për një projekt. Tek ajo individuale, “rekordi” është 8 mijë e 500 euro për projektin “Nga kujtesa te filmi” të Blerta Bashollit, pasuar nga “Ode to All – Bienalja e 18-të e Artit Bashkëkohor në Lion të Francës”, me të cilin ka aplikuar Oda Haliti, dhe “45 vjet me violonçel” të Antonio Gashit. Top-tre projektet me shumën më të madhe te OJQ-të, pas publikimit të listës përfundimtare, janë: “Art Without Limit”, me 13 mijë e 500 euro, “Fondacioni Rame Lahaj”, me 15 mijë euro, dhe “Fondacioni Rona Nishliu”, me 15 mijë euro.
Me ndryshim kategorish e me lexim të ndryshëm shifrash, Ministria e Kulturës kaherë ka nisur t’i fshehë borxhet që i kanë dalë kur ka hapur kuletën në rritje, pa planifikim të buxheteve. Tash i dalin pasojat.
Edhe
As një milion euro për skenën e pavarur, Ministria fundos premtimet
I ashpër kishte qenë dramaturgu Jeton Neziraj në lidhje me atë çfarë shpërfaqin listat. E kishte cilësuar tallje e fyerje të MKT-së me skenën kulturore.
“Me vjen keq, tmerrësisht keq që Saranda Bogujevci u gjend në mes të kësaj historie talljeje e fyerjeje që po i bëhet skenës kulturore. Nuk mbaj mend këso poshtërimi. Ka vite që s’ka ndodhur ndonjë këso talljeje e poshtërimi lapidar”, kishte thënë muajin e kaluar Neziraj, udhëheqësi i qendrës “Multimedia”, ndër të paktët që deklarohen publikisht për situata si kjo. E kishte cilësuar si kthim tek origjina e politikanit. “E di që fjala ‘tradhti’ tingëllon keq dhe mund të keqkuptohet, se nuk është se kemi pasur ndonjë besim të verbër në zotimet e kësaj Qeverie. Megjithatë, po, është tradhti, është mashtrim, është kthim tek origjina e politikanit të pandjeshëm, të poshtër e manipulues! Turp, turp, turp!”, kishte thënë ai.
Pas publikimit të listave preliminare, Ministria e Kulturës i kishte inkurajuar artistët që ta shfrytëzojnë mundësinë e ankimimit, përballë kritikave të shumta lidhur me mbështetjen e skenës së pavarur kulturore përmes thirrjes së këtij viti. Institucioni më i lartë kulturor në vend ka bërë një përmbledhje të mënyrës se si po e përkrah zhvillimin e artit dhe kulturës, si dhe ka premtuar mbështetje për të ardhmen.
Institucioni më i lartë kulturor në vend kishte rikujtuar se e mbështet skenën e pavarur kulturore edhe në forma të tjera.
“Mbështetja për skenën e pavarur është ofruar edhe në forma të tjera, përmes vënies në përdorim të hapësirave kulturore, mundësive të sponsorizimit në kuadër të Ligjit për sponsorizim, lehtësirave administrative dhe rrjetëzimit me mekanizmat kulturorë ndërkombëtarë”, shkruhej në njoftim. Por askush nga skena e pavarur nuk di të thotë se çfarë hapësirash lëshon në përdorim Ministria, kur gjysmën e institucioneve qendrore i ka me qira.
“Po ashtu, rritja e buxheteve për institucionet vartëse krijon më shumë mundësi për angazhimin e artistëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, si dhe për prezantimin dhe vlerësimin e punës së tyre. Kështu, komuniteti artistik përfiton nga mbështetja jo vetëm përmes financimit të drejtpërdrejtë, por edhe përmes veprimtarisë së institucioneve kulturore”, shkruhej në njoftim. Aty përmenden edhe rinovimet dhe restaurimet e infrastrukturës kulturore. Sipas njoftimit, vlera e përgjithshme e investimeve në infrastrukturën kulturore, në kuadër të programit investiv, tejkalon 35 milionë euro. Përmendej edhe se sektori kreativ do të ketë mbështetje të posaçme dhe rritje të ndjeshme përmes fillimit të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Ekonomi Kreative, e cila pritet të miratohet së shpejti.
Edhe
Skena e pavarur kulturore lëkundet në pritje të buxhetit të Ministrisë
Por goditja e radhës me buxhet e fundosja e premtimeve nuk është diçka e papritur. Është një kronikë e paralajmëruar. Madje, qysh në fund të vitit të kaluar.
Në majin e sivjetmë, KOHA raportoi edhe për zbritjen e mbështetjes trevjeçare për kulturën deri në 60 për qind. Më 2023 dhe më 2024, tek ajo që ishte kategoria e parë – “Mbështetje trevjeçare për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” – shuma minimale e përkrahjes ishte 50 mijë euro, ndërsa ajo maksimale deri në 100 mijë euro. Disa organizata kishin marrë mbështetje edhe në kufirin prej 100 mijë eurosh në vit. Por sivjet MKT-ja kishte ndryshuar qasjen, pa kurrfarë sqarimi. Shuma minimale e përkrahjes është 10 mijë euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë. Nëse krahasohet maksimumi i vjetshëm me atë të këtij viti, zbritja shkon saktësisht në 60 për qind.