Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja me sanksione të reja ndaj elitave të lidhura me Putinin

Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten për rundin e ri të sanksioneve ndaj Rusisë si pasojë e pushtimit të Ukrainës, duke synuar zyrtarët dhe elitat që kanë lidhje me Qeverisë ruse me një mori sanksionesh të reja financiare e diplomatike, raportoi CNN-i.

“Sanksionet e fundit, të lëshuara nga Departamenti i Thesarit dhe i Shtetit, synojnë asetet luksoze të disa elitave të shquara ruse – duke përfshirë disa jahte dhe avionë që u përkasin bashkëpunëtorëve të presidentit rus, Vladimir Putin, dhe ‘kompanitë e menaxhimit dhe shërbimeve të aseteve luksoze’ që punojnë për t'iu shmangur sanksioneve të SHBA-së”, thuhet në një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.

Departamenti i Tregtisë lëshoi ​​gjithashtu sanksione të reja që kufizojnë aftësinë e Rusisë për të siguruar teknologji ushtarake.

Sanksionet synojnë disa elita dhe zyrtarë qeveritarë të shquar rusë, duke përfshirë biznesmenin rus God Nisanov, të cilin sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e quan "një nga njerëzit më të pasur në Evropë dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i disa zyrtarëve rusë" dhe zëdhënësen e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se sanksionet e fundit janë të dizajnuara "për të goditur pushtimin dhe për të forcuar sanksionet si presion ndaj Putinit”.

“Lufta e presidentit Putin kundër Ukrainës është gjithashtu një sulm ndaj parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial, të mishëruara në Kartën e OKB-së. Ukraina po lufton me guxim për të mbrojtur popullin e saj dhe pavarësinë e saj me ndihmën e paprecedentë nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin popullin e Ukrainës duke promovuar llogaridhënien për presidentin Putin dhe ata që mundësojnë agresionin rus”, tha Blinken në një deklaratë, duke njoftuar për sanksionet e reja.