Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja kërkon ndaljen e dhunës në Libi

Shtetet e Bashkuara thanë se janë "thellësisht të shqetësuara" nga luftimet pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, dhe bënë thirrje për "ndalimin e menjëhershëm" të ofensivës së udhëhequr nga Ushtria Kombëtare e Libisë.

Ky grup udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar dhe synon të marrë kontrollin e Tripolit nga qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga Kombet e Bashkuara.

"E kemi bërë të qartë se ne kundërshtojmë ofensivën ushtarake të forcave të Khalfia Haftarit. Fushata e njëanshme ushtarake në Tripoli rrezikon civilët dhe minon perspektivat për një të ardhme më të mirë për të gjithë libianët", tha sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, trasmeton rel.

Qeveria e Libisë tha se së paku 21 njerëz u vranë dhe 27 u plagosën në luftimet që kanë nisur të enjten e kaluar, nga jugu dhe perëndimi i Tripolit.

Kryeministri al-Serraj e akuzuoi gjeneralin Haftar për përpjekje për grushtshtet dhe tha se forcat e tij nuk do të lejohen të hynë në kryeqytet.

Fuqitë ndërkombëtare filluan të evakuojnë personelin nga Libia, për shkak të situatës së përkeqësuar të sigurisë.

Edhe Ringjallja e luftës civile në Libi Botë Ringjallja e luftës civile në Libi

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

Haftar e ndihmoi Gaddafin të merrte pushtetin në vitin 1969, përpara se të armiqësohej me të dhe të shkonte në mërgim në SHBA.

Haftar u kthye në Libi në vitin 2011, pasi nisi kryengritja kundër Gaddafit dhe ai u bë komandant i rebelëve.