Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndarë 1.1 miliardë dollarë për t’i blerë Ukrainës 18 sisteme raketash HIMARS, municione shoqëruese dhe armë të tjera, raportoi Reuters të mërkurën.
Siç njoftoi Pengatoni, ka nisur procesi i kontraktimit për blerjen e armëve që do të dorëzohen në një kohëzgjatje prej 6 deri në 24 muajsh.
Fondet e siguruara nga Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, do të përdoren për të lejuar Administratën Biden të prokurojë armë nga industria, e jo nga rezervat ekzistuese të armëve amerikane.
Në pakon e ndarë, SHBA-ja do t’i blejë Ukrainës 150 automjete të ndryshme, 2 radarë për gjurmim të sistemeve ajrore pa pilot, 20 radarë me misione komunikimi dhe të sigurisë taktike si dhe rezerva të tjera.
Përfshirë 1.1 miliardët, SHBA-ja deri më tani e ka ndihmuar Ukrainën me 16.2 miliardë dollarë, qëkur nisi pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.
Sistemet raketore HIMARS, janë konsideruar ndër armët më të suksesshme ndaj caqeve ruse.
Së fundmi, SHBA-ja e ka ndihmuar Ukrainën edhe me NASAMS, sistem i sofistikuar amerikan për mbrojtje ajrore.