Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfuqizuar ndalesën e udhëtimeve për një numër shtetesh, përfshirë Meksikën, Kanadanë dhe shumicën e vendeve të Evropës.
Kështu është hapur rruga për takime emocionale ndërmjet familjarëve pas pothuajse dy vitesh me kufizime si pasojë e pandemisë së koronavirusit. Heqja e ndalesës do t’u japë shtytje edhe industrive të aviacionit dhe turizmit, të goditur fuqishëm nga pandemia.
Fluturimet do t’u lejohen pasagjerëve që kanë dëshmi vaksinimi dhe testi negativ për koronavirus. Ata që do të kalojnë pikat kufitare tokësore nga Kanadaja dhe Meksika duhet të kenë vetëm certifikatën e vaksinimit.
Edhe shtetasit amerikanë dhe banorët me qëndrim të përhershëm në SHBA do të lejohen të hyjnë në territorin amerikan. Kufizimet dëmtuan shumë biznese të lidhura me turizmin.