Forcat amerikane kanë goditur një anije të dytë që dyshohet se po transportonte drogë në Oqeanin Paqësor, mes një fushate në rritje të SHBA-së kundër kontrabandës së drogës në det.
Tre persona janë vrarë, ka njoftuar sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Ky sulm vjen një ditë pasi SHBA-ka goditur një anije tjetër në Paqësor, duke vrarë dy persona.
Besohej se të dyja anijet po transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në ujërat ndërkombëtare, ka shtuar Hegseth.
Sulmet janë të tetat dhe të nëntat kundër anijeve të dyshuara për drogë që nga 2 shtatori, por të parat në ujërat e Oqeanit Paqësor. Shumica e sulmeve të SHBA-së kanë qenë në Detin e Karaibeve.
"Sot, me urdhër të presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu një tjetër sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga një Organizatë e Caktuar Terroriste”, ka shkruar Hegseth në X.
"Këto sulme do të vazhdojnë, ditë pas dite. Këta nuk janë thjesht trafikantë droge - këta janë narko-terroristë që sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet tona”, ka shtuar Hegseth.
Postimi u shoqërua nga një video që duket se tregon një varkë që merr flakë pasi është goditur nga një bombë amerikane.