Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja, pas 67 vjetësh, ekzekuton një grua të burgosur

Lisa Montgomery – e burgosura e vetme e dënuar me dënim me vdekje me ligjin federal – është ekzekutuar.

Asaj i është dhënë injeksioni vdekjeprurës në një burg në Terre Haute në Indiana, në orën një e gjysmë të mëngjesit të së mërkurës. Rasti i saj ka nxitur vëmendje të madhe për shkak se avokatët e saj kanë argumentuar se ishte mendërisht e sëmurë dhe se kishte përjetuar abuzime në fëmijëri.

52-vjeçarja ia kishte nxjerrë me thikë foshnjën nga barku një nëne dhe e kishte rrëmbyer beben në Missouri më 2004. Viktima e saj, 23-vjeçarja Bobbie Jo Stinnet, pësoi gjakderdhje deri në vdekje. Montgomery është e burgosura e parë e dënuar nga sistemi federal me vdekje prej qeverisë amerikane në 67 vjetët e fundit.

Sipas dëshmitarëve, një grua që qëndroi afër Montgomeryt gjatë procesit të ekzekutimit, asaj i është hequr maska dhe është pyetur nëse kishte ndonjë fjalë për ta lënë, Mongomery kishte thënë “jo”, dhe nuk kishte nxjerrë asnjë fjalë tjetër.

Ajo është shpallur e vdekur fiks në 01:31. Avokatja e Montgomeryt, Kelley Henry, ka njoftuar se të gjithë pjesëmarrësit në ekzekutim “duhet të ndihen të turpëruar”.

“Qeveria nuk ka hequr dorë nga zelli i saj për të vrarë këtë grua të lënduar”, ka thënë ajo në një deklaratë të shkruar. “Ekzekutimi i Montgomeryt nuk kishte lidhje me drejtësinë”.

Rrëzimi i pretendimeve të mbrojtjes

Ekzekutimi ishte shtyrë dy herë – së pari për shkak të COVID-19, dhe pastaj prej gjykatës – derisa Gjykata Supreme vendosi se rruga ligjore ishte e hapur për ta kryer në orët e hershme të së mërkurës.

Në një veprim dramatik të së hënës, gjykata në Indiana e ndaloi injektimin derisa nuk do të mbahej një seancë lidhur me gjendjen shëndetësore mendore të Montgomeryt.

Avokatët e saj kanë ngulmuar se ajo ishte lindur me probleme në tru dhe se ishte në gjendje shumë të rëndë mendore për t’u ekzekutuar.

Si fëmijë, ajo vazhdimisht ishte abuzuar fizikisht dhe seksualisht prej babait dhe nënës së saj të trafikuar, kanë thënë anëtarët e familjes. Trajtimi i saj ishte i dhunshëm, saqë është konsideruar edhe torturë, kanë thënë avokatët.

Mbrojtja beson se në kohën e krimit, Montgomery ishte psikopatë që kishte humbur lidhjen me realitetin. Ai opinion është përkrahur prej 41 avokatëve të tanishëm dhe të mëparshëm, si dhe nga grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Komisionin Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut. Por familja dhe miqtë e viktimës thonë se vrasja e kryer nga Montgomery ishte e tmerrshme dhe se meritonte të dënohej me vdekje, pavarësisht gjendjes mendore.

Ajo ka vrarë Stinnettin në Skidmore në Missouri, pasi ishte shoqëruar me gruan nëpërmjet lidhjes virtuale, duke folur për dashurinë për qentë. Pasi e kishte dërguar me makinë në shtëpinë e Sdtinnettit, Montgomery e kishte lidhur me litar dhe ia nxori me thikë foshnjën nga mitra.

Policia e gjeti Montgomeryn duke mbajtur të porsalindurën, duke pretenduar se e kishte sjellë në jetë një ditë më parë. Pasi u zbulua historia, ajo dëshmoi krejt historinë e vrasjes.

Më 2007 ajo u shpall fajtore. Të nesërmen u dënua me vdekje.

Ankesat legale për apel dështuan që ta lironin nga burgu.

Kthimi i dënimeve të Trumpit

Lufta për ta shpëtuar jetën e një të burgosure të dënuar me vdekje ka qenë gjithnjë dramatike deri në momentet e fundit, dhe gjithnjë e më e vendosur u bë pas rastit të Lisa Montgomeryt. Megjithëse vetëm presidenti Donald Trump kishte autoritetin për ta falur Montgomeryn me dënim të përjetshëm në burg, nëse avokatët e saj do t’ia dilnin ta shtynin ekzekutimin e saj derisa të merrte detyrën presidenti i zgjedhur, Joe Biden. Ata mbase këtë qëllim do ta arrinin me liderin demokrat. Bideni është zotuar se do t’i japë fund dënimit me vdekje në nivelin federal. Së fundmi, Gjykata Supreme amerikane vendosi kundër Montgomeryt në tri ankesat e saj legale, përfshirë atë me të cilin argumentonte se do të ishte jokushtetuese të ekzekutohej e burgosura për shkak të gjendjes jo të mirë mendore.

Prej vitit 2008, Montgomery ishte mbajtur në burgun federal në Teksas në burgun e femrave me nevoja të veçanta, ku ajo po merrte trajtimin e nevojshëm psikiatrik. Prej njoftimit për datën e ekzekutimit, ishte vendosur nën qeli të izoluar nga frika se mund të kryente vetëvrasje.

Henry, avokate e Montgomeryt, ka thënë se mbrojtja mendonte se procesi nuk ishte zhvilluar si duhej, dhe ka prezantuar pak detaje për abuzimin, traumat dhe sëmundjen e saj mendore.

Gjykata Supreme kishte ndaluar dënimin me vdekje në nivel shtetëror dhe federal prej vitit 1972, por e përmbyti vendimin katër vjet më vonë. Prej vitit 1976, 16 gra të tjera janë ekzekutuar nga ligjet shtetërore, por jo prej nivelit federal.

Para ekzekutimit të Montgomeryt, gruaja e fundit që do të ekzekutohej prej qeverisë amerikane ishte Bonnie Headu, e cila vdiq në një dhomë gazi në Missouri më 1953, sipas Qendrës Informative për Dënim me Vdekje.

Ekzekutimet federale ishin pauzuar për shtatëmbëdhjetë vjet para se presidenti Donald Trump të urdhëronte kthimin e tyre vjet. \ AP

Artikuj të ngjashëm