Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja e paralajmëron Kinën pas kërkesës ruse për ndihmë ushtarake

Foto: Reuters

Kina do të përballet me pasojat nëse e ndihmon Rusinë për t’iu shmangur sanksioneve për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Zyrtarë të lartë amerikanë u kanë thënë mediave të ndryshme se Moska i ka kërkuar Pekinit asistencë ushtarake dhe humanitare pas nisjes së pushtimit të shtetit fqinj.

Ministria e Jashtme kineze ka akuzuar Uashingtonin se po përhap dezinformata. Edhe Krmelini i ka hedhur poshtë raportet për ndihmë ushtarake nga Kina.

Përplasjet janë zhvilluara para takimit të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe kinezë në Romë. Mediat amerikane citojnë burime brenda administratës së presidentit Biden se Moska ka kërkuar dronë nga shteti aziatik.

Por Rusia po vazhdon bombardimin e qyteteve të mëdha ukrainase.

Shërbimet e urgjencës ukrainase kanë njoftuar se një person është vrarë dhe gjashtë të tjerë kanë mbetur të plagosur nga bombardimet e së hënës në një ndërtesë banimi në periferi të Kievit. Sipas njoftimit, të plagosurit janë shtruar në spital për t’u trajtuar.

Shërbimet e urgjencës shpëtuan 15 persona dhe 63 u evakuuan, pasi një predhë goditi katin e nëntë të një ndërtese banimi në lagjen Obolon, në periferinë veriore të kryeqytetit të ish-republikës sovjetike.

Të paktën dy persona janë vrarë dhe 10 të tjerë kanë mbetur të lënduar gjatë bombardimeve të hënën në Snihurivka të Mykolaiv në Ukrainë.

Tre civilë dhe shtatë pjesëtarë të ushtrisë u plagosën dhe po trajtohen në një spital, ka njoftuar Komuniteti i Bashkuar Territorial.

160 makina private janë larguar sot nga qytetin i rrethuar jugor, Mariupol. Më parë dështuan të gjitha përpjekjet për evakuimin e popullsisë prej 400 mijë banorësh, edhe pse Rusia ishte pajtuar për hapjen e korridoreve.

Qyteti strategjik detar i Mykolaivit është kthyer në betejë të ashpër me agresionin rus prej ditësh, derisa ata luftojnë për kontrollin e qytetit. Rusia pretendon se ka krijuar lidhje tokësore ndërmjet Donbasit dhe Krimesë.

Një këshilltar i presidentit Volodimir Zelenski, ka konfirmuar se negociatat me palën ruse do të pauzohen deri nesër pa dhënë ndonjë hollësi shtesë. Kievi zyrtar po kërkon armëpushim të menjëhershëm.

Sulmi me raketë në një bazë ushtarake afër kufirit me Poloninë një ditë më parë ishte përpjekje për kërcënim ndaj NATO-s, ka vlerësuar, zëvendëskryeministri polak. Shpërthimi është dëgjuar edhe në fshatrat kufitare të shtetit anëtar të Aleancës Veriatlantike.

Artikuj të ngjashëm