Botë

SHBA-ja e merr me të mirë Francën

Administrata amerikane në ditët e fundit ka tentuar t’i përmirësojë marrëdhëniet me Francën dhe Bashkimin Evropian që prej njoftimit të 15 shtatorit për marrëveshjen AUKUS, që anuloi marrëveshjen tjetër në vlerë prej miliarda dollarësh mes Australisë dhe Francës në lidhje me prodhimin e nëndetëseve

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Francën gjatë javës së ardhshme, teksa administrata e presidentit Joe Biden po tenton të qetësojë situatën dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Francën pas dëmeve që i shkaktoi me paktin e sigurisë AUKUS, mes SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Blinkeni do të vizitojë Parisin të hënën për një konferencë ekonomike, por ka konfirmuar se ai do të takohet me zyrtarët francezë për qetësimin e situatës nga pakti, i cili ia prishin marrëveshjen Francës me Australinë.

Administrata amerikane në ditët e fundit ka tentuar t’i përmirësojë marrëdhëniet me Francën dhe Bashkimin Evropian që prej njoftimit të 15 shtatorit për marrëveshjen AUKUS, që anuloi marrëveshjen tjetër në vlerë prej miliarda dollarësh mes Australisë dhe Francës në lidhje me prodhimin e nëndetëseve.

Të gjitha palët janë pajtuar për më shumë kohë në riparimin e marrëdhënieve. Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se bisedimet e Blinkenit kanë për qëllim përforcimin e lidhjes SHBA-Francë në disa çështje të sigurisë në rajonin e Indo-Paqësorit.

Para vizitës në Francë, Blinkeni të premten është takuar me ambasadorin francez, Philippe Etienne, pasi u kthye në Washington kur ishte tërhequr në Francë nga presidenti Emmanuel Macron. Kthimi i tij ishte rast i rrallë i pakënaqësisë për përjashtimin e Francës dhe Bashkimit Evropian nga pakti AUKUS, që ka për qëllim uljen e ndikimit të Kinës në Indo-Paqësor.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar se Blinkeni dhe Etienne “kanë diskutuar për mënyrat e avancimit të marrëdhënieve shtetërore”. Dy zyrtarët e lartë kanë folur për forcimin e bashkëpunimit në çështjet botërore. Mirëpo, zyrtarët amerikanë janë ende të shqetësuar për dëmin e madh që u është bërë marrëdhënieve ndërshtetërore.

“E dimë se do të marrë kohë dhe shumë angazhim”, ka thënë Karen Donfried, kryediplomate amerikane për Evropë.

Në Paris, Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka thënë se Blinkeni dhe ministri Jean-Yves Le Drian do të takohen të martën për vazhdimin e marrëdhënieve pas takimit të 23 shtatorit në New York. Dy palët do të identifikojnë hapat që duhet të merren për të kthyer besimin mes dy shteteve.

“Largimi nga kriza kërkon kohë dhe veprim. Ky është përfundimi që është arritur me zyrtarët amerikanë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Francës.

Paktin AUKUS zyrtarët francezë e kanë cilësuar si “thikë pas shpine”.

Pas përkeqësimit të marrëdhënieve, presidenti amerikan, Biden, ka telefonuar presidentin francez ndërkaq në fund të muajit nëntor dyshja pritet të takohet në Evropë.