Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të martën se është e nevojshme që Serbia të largohet nga ndikimi i Rusisë sa i përket furnizimit me energji dhe se "aktualisht po bëhet shumë" për të ndihmuar Serbinë në këtë drejtim, shkruan portali “N1”.
Duke komentuar njoftimin presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për ndërtimin e një tubacioni të ri të naftës përmes të cilit Serbia do të merrte naftë ruse përmes tubacionit të naftës Druzhba në Hungari, Hill deklaroi se Rusia është dëshmuar se është një furnizuese jo e besueshme dhe se SHBA-ja do ta ndihmojë "sa të jetë e mundur" Serbinë në diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.
“Nuk e di nëse jam në gjendje të komentoj për këtë sepse nuk i di ende detajet, por ajo që Serbisë i duhet shumë është të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me energji dhe të largohet nga Rusia në këtë drejtim, e cila është dëshmuar të jetë një furnizuese shumë jo e besueshme", u tha Hill gazetarëve në Akademinë Kombëtare për Administratën Publike dhe shtoi se ata aktualisht po punojnë për të ndihmuar Serbinë "të largohet nga Rusia".
Serbia është ndër shtetet e vetme evropiane që ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë për agresionin në Ukrainë. Një prej arsyeve është përmendur edhe varësia e Serbisë për naftën ruse.