SHBA-ja ka bllokuar të martën një rezolutë në OKB të mbështetur nga shtetet arabe, e cila kërkonte një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën Izrael – Hamas në Rripin e Gazës.
Votimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të përbërë prej 15 anëtarëve, ishte 13 pro e një kundër, ndërsa Mbretëria e Bashkuar abstenoi, raporton agjencia “AP”.
Kjo reflekton mbështetjen e gjerë globale për t’i dhënë fund luftës mbi katërmuajshe Izrael – Hamas, që nisi me sulmin befasues të Hamasit në jug të Izraelit ku u vranë rreth 1200 persona dhe u morën mbi 250 pengje.
Që nga atëherë, mbi 29 mijë palestinezë janë vrarë në ofensivat ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazas. Ministria në shifra nuk veçon civilët nga luftëtarët, por thotë se shumica janë gra dhe fëmijë.
Është vetoja e tretë e SHBA-së ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit ku kërkohet armëpushim në Gaza.
Edhe
SHBA-ja për herë të gjashtë përdor veton kundër rezolutës së OKB-së për armëpushim në Gaza
Administrata e Joe Bidenit ka thënë se do të bllokojë rezolutën pasi druhet se do të ndërhyjë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje mes palëve në konflikt, që synon ndalimin e luftimeve e po ashtu lirimin e të gjitha pengjeve.
Në një lëvizje befasuese para votimit, SHBA-ja ka propozuar një draftrezolutë tjetër në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e cila përkrah armëpushimin e përkohshëm në Gaza dhe kërkon lirimin e të gjitha pengjeve. Po ashtu bën thirrje për heqjen e gjitha kufizimeve sa i përket transportimit të ndihmave humanitare.
“Këto veprime do të ndihmojnë të krijohen kushtet për të pushuar armiqësitë”, thuhet në draftrezolutë.
Zëvendësambasadori i SHBA-së në OKB, Robert Wood, u ka thënë disa gazetarëve të hënën se rezoluta e mbështetur nga shtetet arabe nuk është “mekanizëm efikas për të realizuar tri gjërat që po tentohet të arrihen – që është lirimi i pengjeve, futjen e më tepër ndihmave dhe një pauzë të gjatë në këtë konflikt”.
Edhe
SHBA-ja i vë veto rezolutës së OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza
Ai ka thënë se me draftrezolutën e SHBA-së po shikohet të arrihet kjo.
Shtetet arabe, të përkrahura nga shumica e 193 shteteve anëtare të OKB-së, kanë kërkuar me muaj armëpushim.