Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk ka arritur ta miratojë të premten rezolutën e SHBA-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në Gaza.
11 vota ishin pro saj, 3 kundër dhe një abstenim. Rusia dhe Kina ishin shtetet që i vendosën veto rezolutës.
“Ne duam të shohim një armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të lidhur me marrëveshjen që çon në lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi në Izrael. U kërkoj të gjitha vendeve anëtare që t’i thonë po rezolutës. Çdo ditë pa armëpushim çon në më shumë vuajtje të panevojshme”, ka thënë ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, para hedhjes në votim.
Që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit, më 7 tetor, SHBA-ja vazhdimisht ka përdorur veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar rezolutat e propozuara që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.
Pas vetos së fundit të vendosur nga Washingtoni në fund të shkurtit, zyrtarët amerikanë kanë negociuar për një tekst alternativ të një drafti, duke u përqendruar në mbështetjen e përpjekjeve diplomatike që po zhvillohen për arritjen e një armëpushimi gjashtëjavor në këmbim të lirimit të pengjeve.
Në kundërpërgjigje të sulmeve të Hamasit, Izraeli po kryen një ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazë, ku janë vrarë pothuajse 32.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Hamasi.