Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja akuzon Evropën se është shndërruar në “inkubator” për terrorizmin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Administrata e Trumpit ka akuzuar Evropën se është një “inkubator” për terrorizmin, i nxitur nga migrimi masiv, në një strategji të re kundër terrorizmit të prezantuar të mërkurën. 

Strategjia fokusohet gjithashtu në çrrënjosjen e “ekstremistëve të dhunshëm të majtë”, përfshirë grupet “radikalisht pro-transgjinore”, ndërsa administrata konservatore e Trumpit po intensifikon sulmet politike ndaj kundërshtarëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Strategjia gjithashtu vendos edhe më shumë kartelet e drogës në Amerikë në qendër të përpjekjeve kundër terrorizmit.

Por disa nga deklaratat më të ashpra janë rezervuar për Evropën, shtëpi e shumë aleatëve të SHBA-së, të cilët ka gjasa të alarmohen kur shohin kontinentin e tyre sërish në shënjestër të administratës Trump, shkruan The Guardian.

“Është e qartë për të gjithë se grupet armiqësore të organizuara mirë shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe idealet globaliste që lidhen me to. Sa më shumë që këto kultura të huaja rriten dhe sa më gjatë të vazhdojnë politikat aktuale evropiane, aq më shumë terrorizmi bëhet i pashmangshëm”, thuhet në strategji.

“Si vendlindja e kulturës dhe vlerave perëndimore, Evropa duhet të veprojë tani dhe të ndalë rënien e saj të qëllimshme”, thuhet më tej në strategjinë e udhëhequr nga koordinatori kundër terrorizmit, Sebastian Gorka.

Raporti thotë se vendet evropiane mbeten “partnerët më të rëndësishëm dhe afatgjatë të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit”, por shton se “Bota është më e sigurt kur Evropa është e fortë, por Evropa është seriozisht e kërcënuar dhe është njëkohësisht objektiv i terrorit dhe inkubator i kërcënimeve terroriste”.

Kritikat e reja ndaj Evropës vijnë vetëm disa muaj pasi strategjia e re e sigurisë kombëtare e Trumpit thoshte se kontinenti përballej me “zhdukje civilizuese” për shkak të emigracionit.

Trumpi ka sulmuar gjithashtu së fundmi aleatët europianë të NATO-s për mosmbështetjen e mjaftueshme në luftën e tij kundër Iranit.

Administrata Trump ka vepruar në mënyrë agresive për të riformësuar rajonin e hemisferës perëndimore me largimin e Nicolas Maduros nga presidenca e Venezuelës, dhjetëra sulme ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge të operuara nga kartelet, dhe presion të ri ndaj qeverisë komuniste të Kubës.

Fushata e administratës për shkatërrimin e anijeve të dyshuara për trafik droge në ujërat e Amerikës Latine vazhdon që nga fillimi i shtatorit dhe deri tani ka shkaktuar të paktën 191 viktima.

Në të njëjtën kohë, Trumpi është përpjekur të ushtrojë presion mbi liderët rajonalë që të bashkëpunojnë më ngushtë me SHBA-në për të goditur kartelet dhe për të ndërmarrë vetë veprime ushtarake kundër trafikantëve të drogës dhe bandave transnacionale, të cilat ai thotë se përbëjnë një “kërcënim të papranueshëm” për sigurinë kombëtare të hemisferës.

Gorka ka thënë se zyrtarët e administratës do të takohen me aleatët më vonë gjatë javës për të diskutuar se si mund të forcojnë strategjitë e tyre kundër terrorizmit.

“Siç e bëri shumë të qartë presidenti, ne do ta masim seriozitetin tuaj si partner dhe aleat nga ajo që sillni në tryezë”, u ka thënë ai gazetarëve, duke shtuar se SHBA-ja pret “më shumë” nga partnerët e saj.

Grupet e majta mbeten një shqetësim i madh për administratën republikane të presidentit dhe strategjia synon ato që i quan “Ekstremistë të Dhunshëm të Majtë, përfshirë Anarkistët dhe Antifashistët”.

Ajo thotë se përpjekjet amerikane kundër terrorizmit do t’i “japin përparësi identifikimit dhe neutralizimit të shpejtë të grupeve politike sekulare të dhunshme, ideologjia e të cilave është anti-amerikane, radikalisht pro-transgjinore dhe anarkiste”.

Që nga rikthimi i tij në pushtet vitin e kaluar, Donald Trumpi ka demonizuar çdo njohje të diversitetit gjinor dhe personave transgjinorë.

Ai mburret rregullisht se administrata e tij ka ndaluar gratë transgjinore të marrin pjesë në sportet e grave dhe, menjëherë pas inaugurimit të tij, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që shpallte se ekzistojnë vetëm dy gjini.