Botë

SHBA i vë veto rezolutës së OKB-së për vendimin e Trumpit për Jerusalemin

Shtetet e Bashkuara janë vet-izoluar edhe më shumë të hënën në lidhje me vendimin e presidentit Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit kur bllokoi thirrjen e KS të OKB-së për të tërhequr deklaratën.

Të 14 anëtarët tjerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së votuan në favor të rezolutës së draftuar nga Egjipti, e cila nuk përmendte specifikisht SHBA-në apo Trumpin por që shprehte “zhgënjim të thellë ndaj vendimeve të fundit në lidhje me statusin e Jerusalemit”, raporton Reuters.

Drafti po ashtu pohoi se “të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin apo përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jerusalemit nuk kanë asnjë efekt, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen me rezoluta relevante të Këshillit të Sigurimit”, transmeton Koha.net.

Trump papritur ndryshoi politikat dekadëshe të SHBA-së këtë muaj, kur ai e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, duke shkaktuar zemërim nga palestinezët dhe bota arabe dhe shqetësime midis aleatëve perëndimorë të Washingtonit.

Trump po ashtu planifikon që ta çojë ambasadën amerikane në Jerusalem nga Tel Avivi.

Draft-rezoluta po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që të përmbahen nga themelimi i misioneve diplomatike në Jerusalem.

“Është në linjë me rezolutat e mëhershme të Këshillit të Sigurimit”, ka thënë Ambasadori britanik në KS të OKB-së, Matthew Rycroft, transmeton Koha.net.

Izraeli e konsideron Jerusalemin si kryeqytet të përjetshëm dhe të pandashëm dhe dëshiron që të gjitha ambasadat të zhvendosen atje. Palestinezët dëshirojnë që kryeqytet të një shteti të pavarur palestinez ta kenë pjesën lindore të qytetit, të cilin Izraeli e ka marrë në luftën e vitit 1967 dhe e ka aneksuar në një veprim që nuk u njoh asnjëherë ndërkombëtarisht.

Ndërkaq, Ambasadorja Amerikane në KS të OKB-së i tha këshillit para votës: “SHBA ka një angazhim të pandërprerë për të ndihmuar në nxitjen e negociatave të statusit final që do të çonte në paqe të qëndrueshme. Dora jonë mbetet e zgjatur ndaj të dyja palëve”.