Komisioni Zgjedhor i Rusisë ka refuzuar kandidaturën e sfiduesit të Vladimir Putin, Boris Nadezhdin.
Nadezhdin, që njihet për qasjen anti-luftë, nuk do të mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë muajin e ardhshëm, raporton “BBC”. Nadezhdin ka njoftuar në rrjete sociale për ndalimin që i është bërë.
Nadezhdin ka qenë relativisht kritik për luftën e shkallës së plotë të Vladimir Putinit në Ukrainë. Ai ka qenë një prej pak zërave kritik që është toleruar në Rusi.
Ai tentoi të kundërshtonte pretendimet e Komisionit Zgjedhor se më shumë se 15 për qind e nënshkrimeve që ai i kishte paraqitur në aplikimin ishin të parregullta.
Por, apeli i tij u refuzua.
Nadezhdin në rrjete sociale ka thënë se ai do ta sfidojë vendimin deri në Gjykatën Supreme të Rusisë.
“Unë kam mbledhur më tepër se 200 mijë nënshkrime nëpër Rusi. Kemi bërë mbledhjen e nënshkrimeve haptazi dhe me sinqeritet”, ka shkruar Nadezhdin.
Komisioni Zgjedhor i Rusisë ka thënë se janë gjetur “parregullsi” në mbi 9000 nga afro 100 mijë nënshkrime sa i ka dorëzuar Nadezhdin. Është thënë se kjo shifër është tri herë më e lartë se gabimi 5 për qind që ofron Komisioni.
Javën e kaluar kryesuesi i Komisionit, Nikolai Bulaev, ka thënë se janë gjetur 11 të vdekur në mesin e nënshkruesve.
Zgjedhjet presidenciale në Rusi mbahen nga 15 deri më 17 mars.