Prej rrënojave të aztekëve e deri te restorantet e klasit botëror, Meksiko City ka shumëçka për t’iu ofruar turistëve nga bota mbarë. Krenohet po ashtu me kulturën e kamur në teatro, muze dhe koncerte.
Sipas Ministrisë së Turizmit në Mexico City, në një vit të mirë turizmi qyteti gjeneron rreth 8.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, 6 miliardë dollarë për ringjalljen ekonomike dhe plot 350 mijë vende pune. Por si pasojë e pandemisë, në vitin 2020 pati rënie të theksueshme ekonomike.
27-vjeçari Mateo Valdez nga Peruja nuk donte ta humbte mundësinë për ta vizituar Mexico Cityn për të parën herë, pavarësisht situatës me COVID-19.
“Për mua ardhja në Meksikë është përvojë e sigurt, gjithmonë duke i zbatuar masat, si bartja e maskës dhe distanca fizike, porse duhet të përshtatemi dhe të vazhdojmë të ecim tutje. Ardhja në Meksikë ka qenë përvojë e bukur edhe në mes të pandemisë”.
Këtë verë, kryeqyteti meksikan ka mbushur mbi 40 përqindëshin e kapacitetit hotelerik, që në numra do të thotë se rreth një milion e gjysmë turistë kanë bërë rezervime nëpër hotele.
Maskat janë të obligueshme dhe dezinfektues ka ngado nëpër hotele dhe restorante, ku vizitorëve gjithashtu u matet edhe temperatura.
Pronari i hotelit “Villa Condesa”, Homero Navarro, thotë se masat kundër koronavirusit ia kanë pamundësuar punën vitin e kaluar, ndonëse sivjet situata paksa është përmirësuar.
“Bizneset po rimëkëmben, le të themi se kishim mbërritur në pikën e shërimit, porse pikërisht kur menduam se më e keqja veçse ka kaluar, kjo valë e tretë (e COVID-19) na goditi, kështu që u dëmtuam përsëri. Në gusht ra numri i njerëzve që bënin rezervime në hotele, por lajmi i mirë është se po luftojmë për të qëndruar në këmbë”.
Autoritetet në Mexico City kanë zbatuar protokolle strikte për ruajtjen e shëndetit dhe për sigurinë e të gjithë turistëve, ndërsa tani janë duke shpërndarë vaksina për njerëzit e punësuar në sektorin e turizmit.