Ekspertët e industrisë fillimisht kishin parashikuar që viti 2026 do të sillte një rritje më modeste. Por shpërthimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit e ka bërë Spanjën një alternativë tërheqëse krahasuar me destinacionet turistike të Lindjes së Mesme si Dubai dhe vendet e Mesdheut Lindor, si Turqia dhe Qiproja.
Nga tarraca në çatinë e një hoteli, Fede Fuster vështron përtej Benidormit, drejt ndërtesave të larta aty pranë dhe plazhit të famshëm e të gjerë të qytetit.
“Me të gjitha virtytet dhe mangësitë e tij, ky është një vend për të cilin ndihemi krenarë”, thotë ai. “Është një vend mundësish”.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFuster është president i shoqatës lokale të turizmit dhe familja e tij ishte ndër të parat që ndërtoi një hotel në këtë qytet mesdhetar, në vitet 1950.
Popullsia e Benidormit është ende vetëm 77,000 banorë, por gjatë kulmit të sezonit veror ajo rritet deri në rreth pesëfishin e kësaj shifre, falë statusit të qytetit si një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të Spanjës.
Që kur pandemia e COVID-19 i la vendpushimet turistike si Benidormi pothuajse të shkretuara dhe e solli industrinë turistike spanjolle në një ngërç të plotë, ka pasur një rimëkëmbje të jashtëzakonshme. Numri i turistëve të huaj që mbërrijnë në vend ka thyer rekorde çdo vit dhe ka arritur në 97 milionë gjatë vitit 2025.
Aktualisht destinacioni i dytë më i madh turistik në botë, menjëherë pas Francës, Spanja pritet ta forcojë edhe më tej suksesin e saj gjatë vitit 2026.
“Mendoj se ky do të jetë një vit i shkëlqyer”, thotë Fuster. “Jam optimist; po flasim për arritjen e 100 milionë turistëve në Spanjë. Nëse vazhdojmë të rritemi me këtë ritëm, shumë shpejt do të jemi numri një në botë”, shton ai.
Ekspertët e industrisë fillimisht kishin parashikuar që viti 2026 do të sillte një rritje më modeste. Por shpërthimi i konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit e ka bërë Spanjën një alternativë tërheqëse krahasuar me destinacionet turistike të Lindjes së Mesme si Dubai dhe vendet e Mesdheut Lindor, si Turqia dhe Qiproja.
“Në këto momente krize, sulmesh ushtarake apo luftërash, rezervimet gjithmonë rriten”, thotë Fuster, i cili kujton një fenomen të ngjashëm në vitin 2011, gjatë trazirave të Pranverës Arabe, megjithëse këmbëngul se do të preferonte të konkurronte me vendet e tjera pa e pasur këtë lloj avantazhi.
“Sa herë që ka një krizë në Mesdheun Lindor ose në Lindjen e Mesme, Spanja shihet si një vend i sigurt për t’u vizituar”, shpjegon Francisco Femenia-Serra, ligjërues i gjeografisë në Universitetin “Complutense” të Madridit.
Ai shpjegon se “një pjesë e turistëve që zakonisht do të shkonin në Turqi ose Egjipt për shkak të çmimeve më të ulëta, përfundojnë duke zgjedhur Spanjën”.
Shifrat zyrtare të mbërritjeve turistike duket se e mbështesin këtë prirje. Spanja ka pritur 9.1 milionë vizitorë ndërkombëtarë në muajin prill, një rekord i ri për këtë muaj. Kjo përbënte 5.2% më shumë, ose 450,000 vizitorë shtesë, krahasuar me prillin e vitit 2025.
Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait pa numrin e pasagjerëve të bjerë me 66% në mars, pasi fluturimet dhe rezervimet u reduktuan ndjeshëm për shkak të situatës me Iranin.
Teksa turizmi kontribuon drejtpërdrejt me 13% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Spanjës, kjo industri ka qenë një komponent thelbësor i rritjes ekonomike të vendit në vitet e fundit, duke tejkaluar ritmet e rritjes së Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Shqetësimet
Një re në horizont është ndikimi i mundshëm i rritjes së çmimeve të karburantit, i cili mund të kufizojë udhëtimet jashtë vendit për evropianët.
Shqetësimi tjetër i madh për industrinë spanjolle është më shumë i natyrës së brendshme: zemërimi në rritje i banorëve vendas ndaj ndikimit që turizmi po shkakton në mjedisin e tyre jetësor.
“Turizmi është pranuar gjithmonë si një sektor pozitiv ekonomik për Spanjën”, thotë Femenia-Serra. “Kjo ndryshoi rreth viteve 2016-2017, kur disa qytete, si Barcelona, filluan të etiketoheshin si viktima të mbingarkesës turistike”.
“Dhe tani shumica e spanjollëve nën moshën 45-vjeçare kanë një perceptim tjetër për turizmin. Ata e shohin atë si një sektor që sigurisht ka ndikime pozitive, por që sjell gjithashtu pasoja negative në jetën e tyre”.
Që nga viti 2024, Barcelona dhe shumë qendra të tjera turistike përgjatë bregdetit mesdhetar, në Ishujt Balearikë dhe Ishujt Kanarinë, kanë përjetuar protesta verore kundër numrit të madh të turistëve.
Një sondazh evropian i kryer nga “YouGov” dhe i publikuar në shtator 2024 tregonte se 28% e spanjollëve kishin një qëndrim negativ ndaj turizmit të huaj, përqindja më e lartë ndër të gjitha vendet e përfshira në studim. Raporti ka zbuluar gjithashtu se dy të tretat e spanjollëve simpatizonin protestat.
Ankesat e banorëve vendas përfshijnë mbingarkesën që shkaktojnë turistët në qendrat e qyteteve, ndikimin e tyre në mjedis dhe, mbi të gjitha, bindjen se ata po e përkeqësojnë krizën e strehimit në Spanjë. Javët e fundit ka filluar një valë e re protestash kundër qirave gjithnjë e më të larta, ndërsa turizmi shpesh lidhet ngushtë me këtë problem.
Në një librari në qendër të Valencias, një grup qiramarrësish vendas mblidhen rregullisht për të diskutuar problemet e tyre të strehimit me përfaqësues të grupit aktivist “Sindicat de Llogateres” (Sindikata e Qiramarrësve). Shumë prej tyre kanë parë rritje të ndjeshme të qirasë kur pronarët kanë rinovuar kontratat.
“Kemi nga njëra anë tregun e akomodimit turistik dhe nga ana tjetër tregun e banimit për vendasit”, thotë Jordi Vila, përfaqësues i “Sindicat de Llogateres”.
“Kur vjen puna te rinovimi i kontratave të qirasë, pronarët nuk i përcaktojnë më çmimet bazuar në pagat lokale, por në pagat e njerëzve që vijnë nga jashtë për pushime, të cilat mund të jenë tre ose katër herë më të larta. Si rezultat, banorët vendas po dëbohen gradualisht nga shtëpitë e tyre”, shpjegon Vila.
Ai ka përmendur Barcelonën si shembullin më tipik të këtij fenomeni, duke e përshkruar qendrën e qytetit si “një lloj parku tematik” (Një destinacion argëtimi ku atraksionet, ushqimi dhe arkitektura janë shumë tërheqëse dhe të organizuara rreth një motivi ose historie qendrore) ku përhapja e apartamenteve turistike ka larguar banorët vendas.
Në rajonin verior të Asturias, ditët e fundit janë shfaqur grafite mbi pronat e dhëna me qira për turistë me sloganin: “Biznesi juaj, rrënimi ynë”.
Ndërsa organizata si “Sindicat de Llogateres” vazhdojnë fushatat e tyre, edhe qeveria e koalicionit të majtë e ka identifikuar akomodimin turistik si problem.
Masat
Në vitin 2025, kryeministri Pedro Sánchez ka paralajmëruar se “ka shumë Airbnb dhe jo mjaftueshëm shtëpi”. Në dhjetor, qeveria e tij ka gjobitur platformën e qirave turistike me 65 milionë euro për reklamimin e apartamenteve pa licencë.
Qeveritë lokale kanë shpallur gjithashtu masa që synojnë si kufizimin e rritjes së akomodimit turistik, ashtu edhe menaxhimin e numrit të madh të vizitorëve.
Disa bashki po kufizojnë dhënien e lejeve për apartamente turistike, ndërsa Barcelona ka njoftuar se do të revokojë të gjitha 10,000 licencat e apartamenteve me qira afatshkurtër deri në vitin 2028. Ajo gjithashtu ka shpallur dyfishimin e taksës turistike në tetë euro për personat që mbërrijnë me anije turistike për qëndrime të shkurtra.
Aktivistët vendas i mirëpresin këto masa, por kërkojnë që të bëhet edhe më shumë.
Ndërkohë, industria e turizmit është e shqetësuar. Shoqata turistike “Exceltur” ka bërë thirrje për “riparimin e marrëdhënieve mes sektorit të turizmit dhe banorëve vendas”.
Nga ana tjetër, sektori i apartamenteve turistike ka cituar një raport të “PwC” mbi planin e Barcelonës për heqjen e licencave, duke paralajmëruar se kjo mund të dëmtojë konkurrueshmërinë e qytetit dhe të shkaktojë humbjen e mijëra vendeve të punës.
Femenia-Serra thotë se qytetet ende po kërkojnë formula të kënaqshme.
“Kemi masa që përpiqen të zbusin ndikimin e turizmit dhe të shpërndajnë turistët në mënyra të ndryshme brenda qyteteve”, thotë ai. “Por ende nuk kemi parë asnjë masë që të ketë rezultuar vërtet efektive në uljen e numrit të turistëve”.
Në Benidorm, ndërsa mendon për atë që me shumë gjasa do të jetë një tjetër verë rekord për Spanjën, Fede Fuster e pranon reagimin negativ ndaj sektorit të tij.
“Ne themi se jemi industria e lumturisë”, thotë ai. “Por duhet të kuptojmë gjithashtu se ndikojmë në jetën normale të qytetarëve”.
“Mënyra se si i mirëpresim njerëzit, si kujdesemi për ta dhe mënyra jonë e të jetuarit, mendoj se janë gjëra që turistët i vlerësojnë shumë, ky është çelësi”, shpjegon ai.
“Kjo është arsyeja pse duhet të punojmë shumë në ato vende, kryesisht në qytete, ku ekziston ndjenja se turistët nuk janë më të mirëpritur. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, sepse nëse e humbasim këtë, atëherë jemi të humbur”.