Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Severodonetsku është plotësisht nën pushtimin rus

Qyteti lindor i Ukrainës, Severodonetsk, ka rënë në duart e forcave ruse pas disa javësh luftime të ashpra, ka thënë kryebashkiaku Oleksandr Stryuk të shtunën, shkruan Sky News.

Stryuk paralajmëroi ukrainasit që kanë mbetur brenda qytetit se nuk është më e mundur të largohen në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

Autoritetet ukrainase urdhëruan dje trupat e tyre të tërhiqeshin nga Severodonetsku, duke thënë se pësonin viktima dhe se kishte mbetur pak për t'u mbrojtur.

Qyteti, i cili ndodhet në rajonin e Luhanskut, ishte kthyer në një fushë beteje të ashpër në javët e fundit dhe kishte parë forcat ruse dhe ukrainase të luftonin rrugë pas rruge.

Rënia e saj do të jetë një fitore kyçe për Rusinë, e cila synon të marrë të gjithë rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës (i përbërë nga Luhansku dhe Donetsku fqinj).

Separatistët pro-rusë tashmë kontrollojnë pjesë të mëdha të Donbasit dhe e kanë bërë që nga viti 2014.