Izraeli do t’i fillojë negociatat indirekte me grupin militant palestinez, Hamas për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës këtë javë dhe kërkon demilitarizimin e plotë të enklavës, ka theksuar të martën ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar.
Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes duhej të fillonin më 2 shkurt, por zyrtarë të Katarit, i cili së bashku me Egjiptin dhe Shtetet e Bashkuara po ndërmjetësojnë mes palëve, thanë se bisedimet nuk kanë filluar ende zyrtarisht, raporton Reuters.
“Kjo do të ndodhë këtë javë”, tha Saar në një konferencë shtypi në Jerusalem.
Izraeli pati dhënë sinjale të përziera në javët e fundit mbi angazhimin e tij në bisedimet për fazën tjetër të armëpushimit trefazor, i cili hyri në fuqi më 19 janar me qëllimin e deklaruar për t'i dhënë fund përgjithmonë luftës në Gaza.
Marrëveshja e armëpushimit, e cila përfshin kthimin e 33 pengjeve izraelite në këmbim të qindra të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë, ka mbetur në rrugën e duhur pavarësisht një sërë pengesash dhe akuzash për shkelje që kishin kërcënuar ta prishnin atë.
Por negociatat për fazën e dytë priten të jenë të vështira, sepse ato përfshijnë çështje të tilla si administrimi i Gazës së pasluftës, në të cilën duket se ekzistojnë boshllëqe të mëdha midis palëve.
“Ne nuk do të pranojmë praninë e vazhdueshme të Hamasit apo ndonjë organizate tjetër terroriste në Gaza”, ka deklaruar Saar.
Por ai ka shtuar se nëse negociatat janë konstruktive, Izraeli do të mbetet i angazhuar dhe mund të zgjasë fazën e parë të armëpushimit, e cila është menduar të zgjasë gjashtë javë.
“Nëse do të shohim se ka një dialog konstruktiv me një horizont të mundshëm për arritjen e një marrëveshjeje, atëherë ne do ta bëjmë këtë kornizë kohore të funksionojë më gjatë”, tha Saar.
Deri më tani, 19 pengje izraelite janë kthyer në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë.
Pengjet u morën në sulmin ndërkufitar të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1200 persona në Izraelin jugor, sipas të dhënave izraelite.
Sulmi hakmarrës i Izraelit në Gaza ka vrarë më shumë se 48.000 palestinezë, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë, ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës dhe ka zhvendosur qindra mijëra persona.