Botë

Rutte kërkon më shumë mbështetje për Ukrainën, paralajmëron për aleancat e Rusisë

Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u ka bërë thirrje aleatëve perëndimorë që t'i ofrojnë Ukrainës mbështetje të mëtejshme "për të ndryshuar trajektoren e konfliktit" me Rusinë.

"Ne duhet të bëjmë më shumë sesa thjesht ta mbajmë Ukrainën në luftë", ka thënë Rutte, duke folur përpara një takimi të martën në Paris me presidentin francez, Emmanuel Macron, raporton AP.

“Ne duhet të rrisim koston për Putinin dhe miqtë e tij autoritarë aftësues duke i ofruar Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për të ndryshuar trajektoren e konfliktit”, ka shtuar ai.

Rutte, i cili nuk ka dhënë detaje në lidhje me pajisjet ushtarake dhe armët e nevojshme për këtë qëllim, ka thënë se ishte "shumë shqetësuese" që Rusia po afrohej më shumë me aleatët e saj, Kinën, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Komentet vijnë në kohën kur SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Ukraina thonë se Koreja e Veriut ka dërguar mijëra trupa në Rusi për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës.

“Rusia, duke punuar së bashku me Korenë e Veriut, Iranin dhe Kinën, nuk po kërcënon vetëm Evropën, por edhe Indo-Paqësorin dhe Amerikën e Veriut. Kështu që ne duhet të qëndrojmë së bashku”, ka shtuar  Rutte.

Ndërkaq, Macron përsëriti thirrjen e tij për një "Evropë të fortë" si shumë të rëndësishme për NATO-n.

Gjatë qëndrimit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi i shtyu aleatët evropianë të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, deri në 2% të prodhimit të brendshëm bruto dhe të jenë më pak të varur nga mbulimi ushtarak i SHBA-së. 

“Për një kohë të gjatë, Evropa e ka shmangur barrën e sigurisë së saj, duke besuar se mund të marrë, në një farë mënyre, dividentët e paqes pa asnjë kufizim kohor”, ka thënë Macron.