Botë

Rusia shpreson ta shkëmbejë me SHBA-në trafikantin famëkeq të armëve, Viktor Bout

Rusia shpreson se mund të bie dakord për një shkëmbim të burgosurish me SHBA-në që do të përfshinte trafikantin famëkeq të armëve, Viktor Bout, i njohur si Tregtari i Vdekjes.

Është hera e parë që zyrtarët amerikanë apo rusë kanë thënë publikisht se Bout mund të jetë pjesë e një shkëmbimi, raportoi BBC-ja të premten.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov tha të premten se shpresonte se perspektiva e një shkëmbimi ishte "forcuar".

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më parë se ishin të etur për të organizuar një shkëmbim të të burgosurve për të liruar basketbollisten amerikane, Brittney Griner. Ajo u dënua për posedim të paligjshëm droge në gusht, pasi në çantat e saj u gjetën vapa vaji kanabisi teksa tentoi të hynte në Rusi.

Fituesja e dyfishtë olimpike është dërguar në një koloni penale në një rajon të largët në juglindje të Moskës.

Të premten, Ryabkov tha se një "emërues i përbashkët" nuk ishte arritur ende midis SHBA-së dhe Rusisë, por "është e pamohueshme që Viktor Bout është ndër ata që po diskutohen për shkëmbim, dhe ne sigurisht llogarisim në një rezultat pozitiv".

Ai tha gjithashtu se Bout ishte "persekutuar" në Shtetet e Bashkuara dhe i uroi atij "qëndrueshmërinë e vullnetit dhe shpirtit" për të përballuar burgosjen e tij.