Botë

Rusia shpreson se mund ta shkëmbejë me SHBA-në trafikantin famëkeq të armëve

Rusia shpreson se mund të bie dakord për një shkëmbim të burgosurish me SHBA-në që do të përfshinte trafikantin famëkeq të armëve, Viktor Bout, i njohur si “Tregtari i Vdekjes”.

Është hera e parë që zyrtarët amerikanë apo rusë kanë thënë publikisht se Bout mund të jetë pjesë e një shkëmbimi, shkroi BBC.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha të premten se shpresonte se perspektiva e një shkëmbimi ishte "forcuar".

Shtetet e Bashkuara kanë thënë më parë se shihnin mundësinë për të organizuar një shkëmbim të të burgosurve për të liruar basketbollisten amerikane, Brittney Griner.

Ajo u dënua për posedim të paligjshëm droge në gusht, pasi në çantat e saj u gjet substacë kanabisi teksa tentoi të hynte në Rusi.

Të premten, Ryabkov tha se nuk ishte arritur për një "emër të përbashkët" midis SHBA-së dhe Rusisë, por "është e pamohueshme që Viktor Bout është ndër ata që po diskutohen [për shkëmbim] dhe ne sigurisht llogarisim në një rezultat pozitiv".

Bout, ish-oficer i forcave ajrore sovjetike, u ekstradua nga Tajlanda në SHBA më 2010.

Ai u dënua me 25 vjet burgim pasi u shpall fajtor për komplot vrasjesh të amerikanëve dhe zyrtarëve të SHBA-së, duke bërë dërgesa të raketave anti-ajrore dhe ndihmën e dhënë një organizate terroriste.