"Ata nuk duan të shkojnë në luftë - por nuk kanë zgjidhje tjetër", tha gjenerali Abdul Raof Arghandival, duke shtuar se dhjetëra komando në Iran, me të cilët ai ka shkëmbyer mesazhe, kanë frikë nga dëbimi. “Më pyesin: ‘A më ofron zgjidhje? Çfarë duhet të bëjmë? Nëse kthehemi në Afganistan, talebanët do të na vrasin”
Ushtarët e forcave speciale afgane, të cilët luftuan së bashku me trupat amerikane dhe më pas u larguan në Iran pas tërheqjes kaotike të SHBA-së vitin e kaluar, tani po rekrutohen nga ushtria ruse për të luftuar në Ukrainë, thanë tre ish-gjeneralë afganë për agjencinë e lajmeve Associated Press.
Ata thanë se rusët duan t’i bëjnë bashkë mijëra ish-komando afgane në një "legjion të huaj" me paga prej 1500 dollarësh në muaj dhe me premtime për strehë të sigurta për veten dhe familjet e tyre, në mënyrë që të shmangin deportimin në vendlindje, ku druajnë se do t’i priste vdekja në duart e talebanëve.
Të kushtëzuar
"Ata nuk duan të shkojnë në luftë - por nuk kanë zgjidhje tjetër", tha gjenerali Abdul Raof Arghandival, duke shtuar se dhjetëra komando në Iran, me të cilët ai ka shkëmbyer mesazhe, kanë frikë nga dëbimi. “Më pyesin: ‘A më ofron zgjidhje? Çfarë duhet të bëjmë? Nëse kthehemi në Afganistan, talebanët do të na vrasin”.
Arghandival tha se rekrutimi udhëhiqet nga forca mercenare ruse “Wagner Group”. Një tjetër gjeneral, Hibatullah Alizai, shefi i fundit i ushtrisë afgane përpara se talebanët ta merrnin pushtetin, tha se përpjekja po ndihmohet gjithashtu nga një ish-komandant i forcave speciale afgane, i cili jeton në Rusi dhe flet gjuhën.
Rekrutimi rus vjen pas disa muajsh paralajmërime nga ushtarët amerikanë që luftuan me forcat speciale afgane se talebanët kishin për qëllim t'i vrisnin dhe se ata mund të bashkohen me armiqtë e SHBA-së për të mbetur gjallë ose nga zemërimi me ish-aleatin e tyre.
Një raport i Kongresit në gusht paralajmëroi veçanërisht për rrezikun që komandot afgane – të trajnuara nga Forcat e Marinës së SHBA-së dhe nga Beretat e Gjelbra të Ushtrisë afgane – mund t’u japin informacione në lidhje me taktikat e SHBA grupit të Shtetit Islamik, Iranit ose Rusisë – ose të luftojnë për ta.
Michael Mulroy, oficer në pension i CIA-s që shërbeu në Afganistan, ka theksuar se komandot afgane janë luftëtarë shumë të aftë dhe të egër. "Unë nuk dua t'i shoh ata në asnjë fushëbeteje, sinqerisht, por sigurisht jo duke luftuar me ukrainasit”.
Breshëri sulmesh ruse
Në Ukrainë, ndërkaq, të hënën është raportuar për një breshëri masive sulmesh ruse kundër infrastrukturës kritike në Kiev, Kharkiv, dhe në qytete të tjera të Ukrainës, duke ndërprerë furnizimin me ujë dhe energji elektrike si hakmarrje e dukshme për atë që Moska pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi gjatë fundjavës.
Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj termocentraleve të Ukrainës dhe infrastrukturës tjetër kryesore, ndërsa lufta hyn në muajin e saj të nëntë. Pjesë të mëdha të Ukrainës tashmë po përjetojnë ndërprerje të vazhdueshme të energjisë si rezultat i strategjisë së Rusisë.
Ndërkohë, 12 anije me grurë u larguan nga portet e Ukrainës të hënën, pavarësisht kërcënimit rus për të rivendosur bllokadën që kërcënon me uri në të gjithë botën, tha Ministria e Infrastrukturës e Ukrainës. Një anije transportoi grurë ukrainas në Etiopi, ku thatësira e madhe po prek miliona njerëz.
Forcat ajrore të Ukrainës thanë se rrëzuan 44 nga më shumë se 50 raketa që u lëshuan nga Rusia.
Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, tha se raketat dhe dronët rusë goditën 10 rajone të Ukrainës dhe dëmtuan 18 vende, kryesisht objekte energjetike.
"Kremlini po hakmerret për dështimet ushtarake ndaj njerëzve paqësorë që kanë mbetur pa energji elektrike dhe pa ngrohje para dimrit", tha guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksii Kuleba.
Kievi pa rrymë
Kryetari i Komunës së Kievit, Vitali Klitschko, tha se 80% e konsumatorëve në qytetin me 3 milionë banorë kanë mbetur pa furnizim me ujë për shkak të dëmtimit të një objekti elektrik.
Tymi u pa që ngrihej nga bregu i majtë i lumit Dnjepër në Kiev, qoftë nga një sulm raketor ose nga vendi ku forcat ukrainase rrëzuan raketat ruse.
Vende infrastrukturore kritike u goditën gjithashtu në rajonin Cherkasy në juglindje të Kievit. Në rajonin Kirovohrad të Ukrainës qendrore, objekti energjetik u godit, sipas autoriteteve lokale. Në Vinnytsia, një raketë që u rrëzua ra në ndërtesa civile, duke rezultuar me dëme, por pa viktima.
Sulmi vjen dy ditë pasi Rusia e akuzoi Ukrainën për një sulm me dron kundër flotës ruse të Detit të Zi në brigjet e gadishullit të aneksuar të Krimesë. Ukraina e ka mohuar sulmin, duke thënë se Rusia keqpërdori armët e veta, por Moska njoftoi ndalimin e pjesëmarrjes së saj në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia për të lejuar kalimin e sigurt të anijeve që transportonin grurë nga Ukraina.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi i tij ishte i vendosur të çojë përpara marrëveshjen e grurit, e cila ka lejuar më shumë se 9 milionë tonë drithë të eksportohen nga Ukraina.
Përktheu: Forca Jashari