Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia pretendon se vrau 600 trupa ukrainase, Kievi e mohon

Forcat ruse kanë pretenduar se kanë vrarë 600 trupa ukrainase në sulmet ndaj kazermave ushtarake në qytetin lindor ukrainas, Kramatorsk, si hakmarrje për vrasjen e dhjetëra ushtarëve rusë në një sulm me raketa një javë më parë, raportoi të hënën “Euronews”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se raketat e saj kanë goditur dy baza të përkohshme ku strehoheshin 1300 trupa ukrainase, megjithatë Kievi zyrtar ka mohuar se ka pasur viktima.

Serhii Cherevatyi zëdhënës i forcave të Ukrainës në lindje, ka thënë për Associated Press se sulmet ruse në Kramatorsk kanë dëmtuar vetëm infrastrukturën civile, duke shtuar se forcat e armatosura të Ukrainës nuk janë prekur.

Administrata rajonale e Donetskut ka njoftuar se shtatë raketa ruse kanë goditur një institucion arsimor, një objekt industrial dhe garazhe në Kramatorsk dhe dy të tjera kanë goditur Kostyantynivka, pa shkaktuar asnjë viktimë.

“Bota e pa sërish këto ditë se Rusia gënjen edhe kur tërheq vëmendjen për situatën në front me deklaratat e veta”, tha Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy gjatë fjalimit të tij në mbrëmjen e së dielës.

Luftimet në vijën e frontit të Ukrainës kanë vazhduar pavarësisht një armëpushimi të njëanshëm të thirrur nga presidenti rus, Vladimir Putin për të përkuar me festimet e Krishtlindjeve Ortodokse.