Rusia po planifikon të vendosë sanksione ndaj 398 pjesëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 87 senatorëve kanadezë.
Sipas agjencisë së lajmeve Interfax, Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se masa për të vendosur sanksione do të merret, pasi SHBA-ja ka vënë sanksione gjatë muajit të kaluar kundër 328 anëtarëve të Dumës ruse, raportoi Reuters të mërkurën.
Duke mos bërë të ditur kohën se kur pritet të merret ky vendim, raportohet se Rusia planifikon që së shpejti të shpallë sanksione shtesë në përgjigje të masave ndëshkuese të SHBA-së.
Një masë tjetër e ndërmarrë së fundmi nga Rusia është vendimi për dëbimin e një diplomati të lartë çek nga Moska.
Ministria e Jashtme ruse ka njoftuar se ky vendim është kundërpërgjigje ndaj Pragës zyrtare që muajin e kaluar njoftoi largimin e një zyrtari të lartë rus të ambasadës në këtë vend.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se diplomati çek duhet të largohej nga Rusia më së largu më 16 prill.