Ministria e Jashtme e Rusisë ka paralajmëruar një reagim të “dhimbshëm” ndaj sanksioneve të SHBA-së.
Administrata Biden ka vendosur të martën sanksione të reja ndaj SHBA-së, duke goditur institucionet financiare ruse dhe oligarkët, ndër të tjera. Sanksionet erdhën si pasojë e vendimit të Rusisë për t’i njohur Donetzkun e Luhanskun, dy rajone separatiste të Ukrainës.
MPJ e Rusisë ka thënë se sanksionet janë pjesë e tentimit të Washingtonit për ta ndryshuar kursin e Rusisë.
“Rusia ka dëshmuar se, pavarësisht nga të gjitha kostot e sanksioneve, është në gjendje të minimizojë dëmin. Edhe më tepër, presioni i sanksioneve nuk është në gjendje të ndikojë vendosmërinë tonë për të mbrojtur interesat tona”, thuhet në deklaratën e MPJ të Rusisë.
Rusia ka thënë se është e hapur për diplomaci, por paralajmëroi se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Rusia.
Edhe
Bideni njofton për sanksione ndaj Rusisë dhe dërgon trupa amerikane në shtetet baltike
Të martën sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken anuloi takimin e paraparë për të enjten me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Po ashtu edhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, nuk do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
“Ne jemi të hapur ndaj diplomacisë të bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, barazisë dhe konsideratës për interesat e njëri-tjetrit. Nuk duhet të ketë dyshim se sanksionet do të marrin një përgjigje të fortë, jo domosdoshmërish simetrike, por të akorduar hollësisht dhe të dhimbshme për palën amerikane”, thuhet nga MPJ e Rusisë.