Rusia ka mirëpritur deklaratën e presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump për t’i zgjidhur problemet përmes dialogut, deklaroi zyrtari i Kremlinit Dmitry Peskov të premten, duke riafirmuar gatishmërinë e presidentit rus Vladimir Putin për takim me Trumpin.
“Mund të ketë progres në organizimin e një takimi në mes Trumpit dhe Putinit pasi Trumpi të merr detyrën më 20 janar”, ka deklaruar Psekov.
Të premten Trump, ka theksuar se është duke u punuar për organizim të një takimi mes tij dhe Putinit, por nuk dha kohën e caktuar për këtë.
Trump ka deklaruar shpesh herë gjatë fushatës zgjedhore se ai do të përfundonte luftën Rusi-Ukrainë brenda 24 orëve pasi të merrte pushtetin, por tani ai dhe këshilltarët e tij kanë sugjeruar se kjo mundë të marrë muaj pasi ai të marrë detyrën.
Kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë ka dhënë shpresë për një zgjidhje diplomatike, por edhe ka ngjallur frikë në Kiev se një marrëveshje për paqe do të jetë shumë e kushtueshme për Ukrainën.
Peskov tha se Putin ka përsëritur disa herë gatishmërinë për të zhvilluar bisedime me liderët botërorë, përfshirë Trumpin.
“Nuk ka kushte për këtë, vetëm një dëshirë e dyanshme dhe vullnet politik për dialog, dhe zgjidhja e problemeve të tanishme përmes dialogut është e kërkuar. Ne shohim se Trump po ashtu ka deklaruar gatishmërinë e tij për të zgjedhur problemet përmes dialogut, dhe ne e mirëpresim atë”, ka deklaruar ai.
Peskov ka theksuar se nuk ka akoma plane specifike për takimin, por Rusia po punon duke llogaritur se të dy palët janë të hapur për të. “Siç shihet, pasi Trump të hyjë në zyrën Ovale, do të ketë lëvizje”.
Trump të enjten ka thënë se “Putini dëshiron të takohet, ai e ka thënë edhe publikisht se ne duhet të ndalojmë luftën, është një rrëmujë e përgjakshme”.