Botë

Kremlini: Putini është i gatshëm për paqe në Ukrainë, pas përmbushjes së objektivave

kremlini

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të dielën, se presidenti rus, Vladimir Putin, është i gatshëm të lëvizë drejt zgjidhjes paqësore në Ukrainë, ndonëse sipas tij, për Rusinë është qenësore që të përmbushë qëllimet kryesore të “operacionit special ushtarak”, ka raportuar Reuters.

Peskov ka thënë se bota tanimë është mësuar me retorikën nganjëherë “të ashpër” të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, porse ka shtuar se shefi i Shtëpisë së Bardhë e kishte lënë të hapur shtegun për Rusinë se do të vazhdonte të kërkonte marrëveshjen e paqes.

“Presidenti Putin ka folur shpeshherë rreth dëshirës së tij për ta zgjidhur në mënyrë paqësore çështjen ukrainase sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është proces i gjatë, kërkon përpjekje dhe nuk është i lehtë”, ka thënë Peskov para gazetarëve.

“Gjëja më e rëndësishme për neve është që të arrijmë qëllimet tona. Qëllimet tona janë të qarta”, ka shtuar Peskov.

Të hënën, Trumpi kishte ndryshuar qasjen e tij ndaj Rusisë, tek kishte premtuar se do të dërgonte armë të sofistikuara në Ukrainë, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”.

Ai i ka dhënë gjithashtu Rusisë një afat 50-ditor për ta pranuar marrëveshjen e  armëpushimit ose për t’u përballur me sanksione të tjera.