Banka Qendrore e Rusisë ka paditur bankën belge “Euroclear”, ku mbahen shumica e aseteve të ngrira ruse, në një gjykatë në Moskë, ndërsa zyrtarët rusë e akuzojnë Bashkimin Evropian për “përvetësim të padrejtë”. Në total, rreth 210 miliardë euro asete ruse u ngrinë në BE brenda pak ditësh pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, dhe 185 miliardë euro prej tyre mbahen nga “Euroclear”. BE-ja dhe Ukraina argumentojnë se këto para duhet të përdoren për të rindërtuar atë që Rusia e ka shkatërruar.
Rusia ka nisur procedura ligjore në përgjigje të përpjekjeve të aleatëve evropianë të Ukrainës për t’i përdorur asetet e ngrira ruse me qëllim financimin e ushtrisë dhe ekonomisë së Kievit.
Banka Qendrore e Rusisë ka paditur bankën belge “Euroclear”, e cila mban shumicën e aseteve të ngrira ruse, në një gjykatë në Moskë, ndërsa zyrtarët rusë e akuzojnë Bashkimin Evropian për “përvetësim të padrejtë” të fondeve.
Ndërkohë që Ukraina po përballet me mungesë të theksuar fondesh pas gati katër vjetësh lufte të nisur nga Rusia.
Për vendet evropiane, zgjidhja për të mbushur boshllëkun buxhetor të Ukrainës, që në dy vjetët e ardhshme thuhet se i duhen edhe 135.7 miliardë euro, qëndron tek asetet e ngrira të Moskës të mbajtura nga “Euroclear”. Udhëheqësit e BE-së shpresojnë të miratojnë këtë plan në samitin e javës së ardhshme në Bruksel.
Në total, rreth 210 miliardë euro asete ruse u ngrinë në BE brenda pak ditësh pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, dhe 185 miliardë euro prej tyre mbahen nga “Euroclear”.
“Është e drejtë të përdoren asetet e ngrira ruse”
BE-ja dhe Ukraina argumentojnë se këto para duhet të përdoren për të rindërtuar atë që Rusia e ka shkatërruar. Brukseli e quan këtë një hua të garantuar nga asetet e ngrira dhe ka hartuar një plan për të mbështetur ekonominë e Ukrainës me rreth 90 miliardë euro.
“Është vetëm e drejtë që asetet e ngrira të Rusisë të përdoren për të rindërtuar atë që Rusia ka shkatërruar – dhe pastaj ato para bëhen tonat”, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kancelari gjerman Friedrich Merz, ka theksuar se asetet do t’i mundësojnë Ukrainës “të mbrohet në mënyrë efektive nga sulmet e ardhshme ruse”.
Veprimet ligjore të Rusisë ishin të pritshme në Bruksel dhe Komisioneri Evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, të premten ka theksuar se institucionet financiare të BE-së janë “plotësisht të mbrojtura” nga procedurat ligjore.
Por jo vetëm Moska është e pakënaqur.
Belgjika është e shqetësuar se mund të mbetet me një faturë gjigante nëse plani dështon, ndërsa drejtoresha ekzekutive e “Euroclear”, Valerie Urbain, paralajmëroi se përdorimi i këtyre aseteve mund të “destabilizojë sistemin financiar ndërkombëtar”.
“Euroclear” ka gjithashtu rreth 16–17 miliardë euro të bllokuara në Rusi.
Kryeministri belg Bart de Wever i ka vendosur BE-së një sërë kushtesh, sipas tij, racionale, të arsyeshme dhe të justifikuara, para se të pranojë planin e reparacioneve dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e hapave ligjorë nëse plani paraqet “rreziqe të konsiderueshme” për vendin e tij.
Cili është plani i BE-së?
BE-ja po punon me ritme të shpejta përpara samitit të së enjtes së ardhshme, me synimin për të gjetur një zgjidhje që Belgjika mund ta pranojë.
Deri tani, BE-ja ka hezituar të prekë drejtpërdrejt vetë asetet, por që nga vitit i kaluar ka transferuar në Ukrainë “fitimet e papritura” që ato gjenerojnë. Vetëm në vitin 2024, kjo shumë arriti në 3.7 miliardë euro. Përdorimi ligjor i interesit konsiderohet i sigurt, pasi Rusia është nën sanksione dhe fitimet e krijuara nuk llogariten si pronë sovrane ruse.
Megjithatë, ndihma ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, dhe Evropa është përballur me vështirësi për të mbuluar boshllëkun e lënë nga vendimi i SHBA-së për të reduktuar pothuajse plotësisht financimin për Ukrainën, pasi presidenti Donald Trump u rikthye në pushtet.