Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia i interceptoi të gjitha, përveç “Flamingos” – Ukraina godet Moskën me armën e re

raketa "Flamingo"

Në një nga sulmet më të mëdha ndaj Moskës që nga fillimi i luftës, Ukraina përdori armë të gjeneratës së re të prodhuara në vend, përfshirë raketat “Flamingo”, ndërsa mbi 1,000 dronë u lëshuan njëkohësisht drejt territorit rus. Teksa dronët u rrëzuan, raketa “Flamingo” arriti në destinacion, duke goditur rafineritë ruse. 

Sulmi u krye gjatë natës së 20 shtatorit, ndërsa autoritetet ruse e përshkruan atë si sulmin më të madh me dronë ndaj Moskës që nga fillimi i luftës. Sipas zyrtarëve rusë, në të gjithë vendin u rrëzuan më shumë se 1,600 dronë, përfshirë rreth 450 që synonin Moskën.

Në sulm u godit edhe rafineria e naftës e “Gazprom Neft” në Moskë. Sipas Reuters, përpunimi i naftës së papërpunuar në këtë rafineri u ndërpre pas goditjes, e cila shkaktoi zjarr në njësitë kryesore të distilimit. Burime nga industria thanë se riparimi i dëmeve mund të zgjasë disa javë.

Gjatë vitit 2024, rafineria përpunoi 11.6 milionë tonë naftë bruto dhe prodhoi, ndër të tjera, benzinë dhe naftë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi se në sulm u përdorën sisteme vendore me rreze të gjatë veprimi, përfshirë raketat “Flamingo” dhe “Pelican”, së bashku me lloje të ndryshme dronësh.

Edhe Rusia godet me raketa dhe dronë rajone ukrainase, të paktën pesë të vdekur Botë Rusia godet me raketa dhe dronë rajone ukrainase, të paktën pesë të vdekur

“Sulmet tona me rreze të gjatë patën një ndikim shumë të rëndësishëm në rajonin e Moskës”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se goditën një prej objekteve kryesore të industrisë ruse të naftës dhe një objekt logjistik.

Sipas tij, bëhet fjalë për infrastrukturë që gjeneron të ardhura për përpjekjet luftarake të Rusisë.

“Flamingo” është një raketë kruz e zhvilluar nga kompania ukrainase “Fire Point”. Ukraina e ka prezantuar më herët këtë sistem si një nga projektet kryesore për sulme me rreze të gjatë.

Disa raportime thonë se raketa ka një rreze veprimi prej afro 3,000 kilometrash dhe peshon rreth gjashtë tonë. 

Në të njëjtin sulm u përdor edhe raketa e re balistike ukrainase “Pelican”, e njohur si FP-7. Sipas raportimeve, roli i saj ishte kryesisht goditja e sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore, duke hapur hapësirë për raketat me rreze më të gjatë veprimi.

Sulmi pati pasoja edhe përtej objektivave ushtarake. Autoritetet ruse njoftuan se të paktën tre persona u vranë në rajonin e Moskës, ndërsa rreth 20 të tjerë u plagosën. U dëmtuan edhe ndërtesa banimi, ndërsa qindra banorë u evakuuan.

Edhe Rusia zotohet t’i intensifikojë sulmet ndaj Kievit Botë Rusia zotohet t’i intensifikojë sulmet ndaj Kievit

Moska ka thënë se sulmi u krye në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi. Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, pretendoi se një prej synimeve të sulmit ishte ndërprerja e procesit zgjedhor. Pala ukrainase, megjithatë, e paraqiti sulmin kryesisht si goditje ndaj infrastrukturës ruse të naftës dhe logjistikës.

Sulmet ndaj rafinerive ruse janë bërë pjesë e rëndësishme e fushatës së Ukrainës me armë me rreze të gjatë veprimi gjatë muajve të fundit. Rafineritë e goditura kanë rol të rëndësishëm në furnizimin e tregut rus me karburant, ndërsa sulmet e mëparshme kanë shkaktuar ulje të prodhimit, rritje të çmimeve të karburanteve dhe probleme me furnizimin në disa pjesë të vendit.