Autoritetet në Rumani po planifikojnë të bëjnë mbajtjen e maskës të detyrueshme në ambientet e hapura, në rast se nuk mund të mbahet distanca fizike, dhe të mbyllen lokalet nga ora 23:00, shkruan BBC.
Në total vendi ka regjistruar mbi 47 mijë raste dhe 2239 të vdekur, sipas shifrave të Universitetit John Hopkins. Por, numrat janë rritur dukshëm së fundi, ku janë rritur çdo ditë me mbi 1000 raste të reja në javën e kaluar.
Deri në korrik, Qeveria ka hospitalizuar personat e infektuar me dekret, dhe ka urdhëruar ata që janë ekspozuar të qëndrojnë në shtëpi. Por, në fillim të muajit Gjykata Kushtetuese ka vendosur se kjo nuk është e ligjshme, që nënkupton se 972 pacientë pozitivë me COVID-19 janë lënë jashtë spitalit përkundër këshillave mjekësore dhe afro 3680 persona të infektuar nuk janë trajtuar fare në spitale.
Që nga atëherë është miratuar një ligj pi ri për të lejuar Qeverinë që të detyrojë izolimin dhe hospitalizimin. Ministri i Shëndetësisë, Nelu Tataru, ka paralajmëruar se lirimi i personave nga spitali mund të çojë te rritja e rasteve të reja me COVID-19.
Po ashtu autoritetet kanë thënë se qytetarët nuk i janë përmbajtur rregullave të higjienës e distancës, përfshirë edhe urdhërit për të mbajtur maska në transportin publik.