Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rumania do të shpërndajë falas tableta që përdoren në rast të incidentit bërthamor

Rumania do t’u shpërndajë banorëve të saj tableta joduri të kaliumit pa pagesë, në mënyrë që të përgatiten në rast emergjence bërthamore, ka thënë të martën Ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Alexandru Rafila.

Duke folur për mundësinë e incidentit bërthamor, Rafil ka thënë se qeveria do të fillojë shpërndarjen e tabletave nga java e ardhshme përmes mjekëve familjarë.

“Ato duhet të merren nëse ka një incident bërthamor në afërsi. Përndryshe, ato nuk duhet të merren”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Siç ka raportuar Reuters, disa mjekë kanë paralajmëruar se përdorimi i kësaj tablete pa masat e duhura mund të krijojë efekte anësore serioze.

Joduri i kaliumit përdoret për të trajtuar ose parandaluar mungesën e jodit ose zmadhimin e tiroides, të shkaktuar nga mungesa e jodit.

Marrja e jodurit të kaliumit mund të parandalojë thithjen e jodit radioaktiv në organizëm. Mund të përdoret si masë parandaluese pas një aksidenti në një termocentral bërthamor.