Lufta në Ukrainë e ka shtuar frikën për ekspozimin bërthamor – dhe interesin për pilula jodi që mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trupit nga disa rrezatime.
Shqetësimet janë rritur javët e fundit lidhur me ndërprerjet periodike të energjisë në centralin bërthamor të Zaporizhzhias, që kanë rritur rrezikun e një shkrirjeje. Edhe kërcënimet nga presidenti rus, Vladimir Putin, se do t’i përdorë “të gjitha mjetet e nevojshme” për ta fituar luftën në Ukrainë, e ka ngritur spektrin e luftës bërthamore.
Disa vende në Evropë kanë filluar grumbullimin e tabletave dhe farmacitë në Finlandë kanë filluar të mbarojnë pilulat pasi Ministria e Shëndetësisë e atij vendi ka rekomanduar familjet të blinin një dozë të vetme në rast urgjence.
Mirëpo çka janë pilulat e jodit? Dhe çfarë mund të bëjnë dhe të mos bëjnë në rastin e një rrjedhjeje apo sulmi bërthamor?
Jodi i kaliumi, ose KI, ofron mbështetje specifike kundër një lloj ekspozimi. Ai parandalon tiroiden- gjëndër që prodhon hormone në qafë – të marrë jodin radioaktiv, i cili mund të lëshohet në atmosferë në ndonjë aksident bërthamor.
Ky material radioaktiv mund ta rrisë rrezikun e kancerit të tiroides nëse futet në trup, për shembull duke marrë frymë ose duke ngrënë ushqim të kontaminuar. Është veçanërisht i rrezikshëm për fëmijët dhe rreziqet mund të vazhdojnë shumë vite pas ekspozimit.
Tabletat e jodit funksionojnë duke e mbushur tiroiden më një version të qëndrueshëm të jodit në mënyrë që lloji radioaktiv të mos mund të hyjë. Nëse tiroidja është e mbushur me jodur kaliumi, ajo nuk do të jetë në gjendje ta marrë jodin e dëmshëm që ka mbetur pas një aksidenti bërthamor.
Pilulat janë të lira dhe shiten në të gjithë botën dhe shumë vende, përfshirë SHBA-në, i grumbullojnë ato.
Mirëpo, jodi i kaliumit nuk mbron nga llojet e tjera të kërcënimeve radioaktive. Një bombë bërthamore, për shembull, mund të lëshojë shumë lloje të ndryshme të rrezatimit dhe materialit radioaktiv që mund të dëmtojë shumë pjesë të trupit.
Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar se jodi i kaliumit duhet të merret vetëm në disa emergjenca bërthamore dhe funksionon më mirë nëse merret afër kohës së ekspozimit. Nuk duhet të merret si masë parandaluese para kohe.
Dozat e jodi të kaliumit mund të vijnë me disa efekte anësore si skuqje, inflamacion ose të përziera në stomak. Ata mbi 40 vjeç në përgjithësi nuk duhet të marrin tableta jodi nëse ekspozimi i tyre i pritshëm është shumë i lartë, sipas udhëzimeve nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së.