Botë

Rubio do të vizitojë Evropën Lindore për të forcuar lidhjet me udhëheqësit pro-Trump

Marco Rubio

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të nisë një vizitë dyditore të dielën, për të forcuar marrëdhëniet me Sllovakinë dhe Hungarinë, udhëheqësit konservatorë të të cilave duke qenë shpesh në mosmarrëveshje me vende të tjera të Bashkimit Evropian, kanë lidhje të ngrohta me presidentin Donald Trump.

Rubio do ta shfrytëzojë vizitën për të diskutuar bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe çështje dypalëshe, përfshirë angazhimet në NATO, ka njoftuar Departamenti i Shtetit në një deklaratë javën e kaluar.

“Këto janë vende që janë shumë të forta me ne, shumë bashkëpunuese me Shtetet e Bashkuara, punojnë shumë ngushtë me ne, dhe është një mundësi e mirë për t’i vizituar dhe dy vende ku unë nuk kam qenë kurrë,” u ka thënë Rubio gazetarëve para nisjes për në Evropë të enjten.

Rubio, i cili në rolin e tij të dyfishtë shërben gjithashtu si këshilltar i sigurisë kombëtare i Trumpit, do të takohet të dielën në Bratislavë me kryeministrin sllovak Robert Fico, i cili vizitoi Trumpin në Florida muajin e kaluar. Vizita e diplomatit amerikan vjen pas pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Munih gjatë ditëve të fundit.

Të hënën, Rubio pritet të takohet me udhëheqësin hungarez, Viktor Orban, i cili po mbetet pas në shumicën e sondazheve përpara zgjedhjeve në prill.

“Presidenti ka thënë se e mbështet shumë atë, dhe ashtu bëjmë edhe ne”, ka thënë Rubio. “Por padyshim që do ta realizonim këtë vizitë si një vizitë dypalëshe”.

Orban, një nga aleatët më të afërt të Trumpit në Evropë, konsiderohet nga shumë në të djathtën e fortë amerikane si model për politikat e ashpra të presidentit amerikan për emigracionin dhe mbështetjen për familjen dhe konservatorizmin e krishterë. 

Budapesti ka pritur vazhdimisht aktivitetet e Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC), që bashkon aktivistë dhe liderë konservatorë.