Një raport i ri, i përpiluar nga më shumë se 120 ekspertë kryesorë globalë, thotë se kërcënimet shëndetësore që lidhen me ndryshimet klimatike kanë arritur “nivele rekorde”. Nga ekspozimi ndaj nxehtësisë te thatësirat, përmbytjet, tek uria - raporti, i botuar në “The Lancet”, të mërkurën, thotë se njerëzit në çdo vend përballen me kërcënime rekorde për shëndetin dhe mbijetesën nga klima që po ndryshon me shpejtësi.
Këtë verë një valë disaditore e të nxehtit të madh pengoi jetën normale në Pakistan, veçanërisht në qytetin e tij më të madh, Karachi, ku mjekët trajtuan mijëra viktima që ishin prekur nga i nxehti.
Disa njerëz ranë pa ndjenja në qytet dhe, sipas mediave lokale, disa vdiqën më vonë.
Temperaturat u rritën deri në 47 gradë celsius në provincën Sindh.
Autoritetet në Karachi, kryeqytet i provincës, u kërkuan njerëzve të qëndronin brenda, të hidratoheshin dhe të shmangnin udhëtimet e panevojshme.
Klima e Pakistanit po ngrohet shumë më shpejt se mesatarja globale, me një rritje të mundshme prej 1.3 deri në 4.9 gradë celsius deri në vitet 2090, mbi bazën e viteve 1986-2005, sipas një paneli ekspertësh të Bankës Botërore për ndryshimet klimatike.
Dhe, sipas një raporti të ri, kjo mund të jetë një shenjë e pasojave që do të vijnë në vazhdim.
I publikuar të mërkurën, një raport nga 120 ekspertë kryesorë globalë thotë se kërcënimet shëndetësore të ndryshimeve klimatike tani kanë arritur “nivele rekorde”.
“Me të dhënat tona, me provat tona, ajo që po shohim është se ndryshimi i klimës është një çështje themelore shëndetësore”, thotë dr. Marina Romanello, drejtoreshë ekzekutive e Lancet Countdown në University College London.
“Po ndikon në themelet e shëndetit, të mirëqenies, të jetesës së shëndetshme. Ne e dimë se ndryshimi klimatik është kërcënimi më i madh me të cilin po përballemi në afat të shkurtër dhe afatgjatë për shëndetin tonë. Pra, gjithçka ka të bëjë me shëndetin”.
Raporti i tetë i treguesit vjetor i “Lancet Countdown” zbuloi se vdekjet e lidhura me nxehtësinë vazhdojnë të rriten dhe një ditë mund të tejkalojnë vdekjet nga të ftohtit.
“Ne kemi arritur nivele të reja e shumë shqetësuese në vitin e fundit të të dhënave”, thotë ajo.
Sipas Romanellos, grupmosha më e cenueshme është ajo mbi 65 vjeç.
“Ne po shohim gjithashtu, si rezultat i ekspozimit ekstrem të nxehtësisë, që kapaciteti i njerëzve për të punuar jashtë është gjithnjë e më i kufizuar dhe shëndeti i punëtorëve po vihet në rrezik”.
Raporti zbuloi se valët më të shpeshta të të nxehtit dhe thatësirat ishin përgjegjëse që 151 milionë më shumë njerëz përjetuan telashe me sigurim të ushqimit nga shkalla e moderuar deri në të rëndën - në 124 shtete në vitin 2022.
I publikuar përpara COP29, që do të organizohet në Baku, Azerbajxhan, këtë nëntor, raporti i tetë i treguesit vjetor i “Lancet Countdown” është bërë për të njoftuar politikëbërësit me informacion dhe ndoshta për të ndikuar në bisedime.
Autorët e tyre po bëjnë thirrje që qeveritë të ndalojnë investimin në lëndët djegëse fosile dhe t’i drejtohen energjisë së rinovueshme.
Ata thonë se nga ky hap mund të përfitojnë shëndeti, jetesa dhe mirëqenia e njerëzve.