Më shumë se 100 nxënës të një shkolle nigeriane janë rrëmbyer në qytetin veriperëndimor Kuriga, thonë dëshmitarët, raporton “BBC”. Nxënësit ishin në terren rreth orës 08:30, kur dhjetëra persona të armatosur me motoçikleta kaluan nëpër shkollë, ka treguar një dëshmitar.
Bashkë me nxënësit, të moshave nga 8 deri 15 vjeç, u mor edhe një mësues. Bandat e kidnapuesve kanë rrëmbyer qindra njerëz vitet e fundit, posaçërisht në veri-perëndim të vendit. Mirëpo, kohëve të fundit ka pasur një reduktim të rrëmbimeve masive të fëmijëve deri në këtë javë.
Një dëshmitar ka rrëfyer se një nxënës u qëllua nga personat e armatosur dhe aktualisht po merr kujdes mjekësor në spitalin Birnin Gwari. Një zyrtar i qeverisë së shtetit Kaduna konfirmoi incidentin për BBC-në, por nuk dha detaje. Në muajin janar, bandat vranë një drejtor shkolle në atë zonë dhe rrëmbyen gruan e tij. Rrëmbimi vjen vetëm një ditë pasi dhjetëra gra dhe fëmijë u frikësuan se do të rrëmbehen nga grupi islamik, Boko Haram, teksa po mblidhnin dru në verilindje të Nigerisë. Megjithatë dy rastet e rrëmbimeve masive nuk mendohet të kenë lidhje. Bandat kriminale të rrëmbimit që sjellin frikë në Nigerinë veriperëndimore janë të ndara nga Boko Haram në verilindje, megjithëse ka pasur raporte se ata mund të kenë punuar së bashku me raste. Në një përpjekje për ta ndaluar këtë trend, një ligj i diskutueshëm që e bën krim kryerjen e pagesave për lirim të pengjeve u miratua në vitin 2022. Ai mbart një dënim me burg prej të paktën 15 vjetësh, megjithatë askush nuk është arrestuar ndonjëherë. Në fillim të këtij viti, familja e një grupi motrash të rrëmbyera në kryeqytet, Abuja, mohoi një deklaratë të policisë se forcat e sigurisë i kishin shpëtuar vajzat, duke thënë se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të paguanin shpërblimin.