Kidnapuesit në Nigeri kanë vrarë të paktën 38 persona që i kishin rrëmbyer nga një fshat në rajonin verior të Zamfaras, përkundër se ata kishin marrë shumën e parave që kishin kërkuar për lirimin e tyre, raporton “BBC”.
Një zyrtar lokal ka treguar për ngjarjen e rëndë.
Në vitet e fundit, bandat kriminale në rajon kanë kthyer kidnapimin e njerëzve si metodë për të mbledhur para.
Në rastin e fundit, 56 persona ishin kidnapuar nga fshati Banga në mars. Personat e armatosur kërkuan një milion naira (rreth 655 dollarë) për person, kanë njoftuar mediumet nigeriane.
Kryetari i qeverisë lokale Mannir Haidara Kaura tha se shumica e të vrarëve ishin të rinj.
“Çfarë ndodhi është se banditët kërkuan para, dhe pas bisedimeve, atyre iu plotësua kërkesa. Ata më pas liruan 18 persona, përfshirë 17 gra dhe një djalë të ri, të shtunën. Vetëm ata (personat e armatosur) e dinë pse i vranë. Janë njerëz pa ndjenja dhe të pashpirt”.
Gjashtëmbëdhjetë nga ata që u liruan të shtunën janë në spital duke marrë trajtim.