Anastasiia Morhun e dinte se lindja e fëmijës do t’ia ndryshonte jetën.
Ishte përgatitur për këtë ditë dhe ëndërronte se çfarë prindër do të ishin së bashku me bashkëshortin e saj.
Mirëpo nuk kishte se si të ishte gati për luftën që Rusia e nisi më 24 shkurt të vitit 2022 – ditën kur ajo lindi Romanin.
“Ndjeva frikë. Para së gjithash ishte mohim i asaj që po ndodhte, ishte frikë dhe keqkuptim. Sepse nuk mund ta kuptoja se si ishte e mundur një gjë e tillë. Sapo kisha lindur dhe më pas ndodhi diçka e tillë. Domethënë po bëja disa plane, si do të kujdesesha për të, çfarë prindër do të ishim. Pastaj gjithçka u shkatërrua në vetëm një moment”, ka thënë Morhun.
Në vend të momenteve të para të bukura mes nënës dhe të porsalindurit, Morhun dhe Romani kaluan ditët e para në bodrumin e spitalit teksa raketat ruse binin kudo nëpër Ukrainë.
Morhun kishte dhimbje për shkak të lindjes cezariane.
“Për ta thënë më troç, ka qenë vit i vështirë, por shumë i lumtur pasi ishim gati për fëmijën. Kemi pritur shumë gjatë për të. Mbi të gjitha është vit kur u bëra nënë. Pastaj lufta ndryshoi planet tona të mëdha, mirëpo nuk e ka shuar kënaqësinë time që të jem nënë”, ka deklaruar ajo.
Edhe Alina Mustafaieva u bë nënë për herë të parë kur Yeva lindi gjatë shpërthimeve të para në Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.
“Dua që fëmijët e mi të mbajnë mend dhe ta dinë se çfarë është Rusia. Atë që përjetuan nënat e tyre dhe çfarë ka mundur të ndodhte. Faleminderit Zotit që nuk ndodhi. Çfarë u ka ndodhur fëmijëve të tjerë dhe prindërve të tyre”, është shprehur Mustafaieva.
Kur ata do t’i fryjnë qirinjtë e parë të ditëlindjes së fëmijëve dhe të gjithë ditëlindjeve që do t’i festojnë – ukrainasit e tjerë do të jenë duke ndezur qirinjtë për të kujtuar më të dashuri e tyre të vrarë nga Rusia.