Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rojat bregdetare të SHBA-së, Japonisë dhe Filipineve zhvillojnë stërvitje ushtarake

Anijet e rojës bregdetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Japonisë dhe të Filipineve organizuan të martën stërvitje ushtarake në ujërat pranë Detit të Kinës Jugore, teksa Washingtoni zyrtar po bën përpjekje për të përforcuar aleancat në Azi në kohën e rivalitetit përherë e më të tensionuar me Kinën.

Stërvitjet, të dëshmuara nga gazetarët në bordin e një varke patrullimi të rojës bregdetare filipinase, përfshijnë një skenar të përgjimit dhe të ngjitjes në një anije të dyshuar se ishte e ngarkuar me armë të shkatërrimit në masë në det, në gadishullin Bataan, njoftoi roja bregdetare e Filipineve.

Roja bregdetare amerikane angazhoi një prej anijeve të saj më të avancuara, Stratton, në stërvitjet e 1 deri më 7 qershor, të organizuara nga Filipinet, që janë aleati më i vjetër i Washingtonit në Azi.

Japonia ndërkaq e vendosi anijen e madhe të rojës bregdetare, Akitsushima, e atyre iu bashkuan edhe katër anije të rojës bregdetare filipinase.